Nuk ka zgjedhje më 30 qershor – Meta nënshkruan live dekretin: Pa caktuar datë Presidenti, nuk bëhen votime
Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur të nënshkruajë live përpara kamerave dekretin që anulon zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Përmes një konference të jashtëzakonshme për mediat që nisi në orën 8 të mëngjesit, kreu i shtetit argumentoi motivet që e shtynë të marrë këtë vendim. Sipas tij, ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm të situatës e cila mund të përfundojë edhe në një konflikt civil.
Zhvillimi i zgjedhjeve pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, nënvizoi Meta, cenon disa parime kushtetuese dhe është rrezik për paqen në vend. Duke ju referuar Kushtetutës, Meta tha se Presidenti është institucioni i vetëm që mund të dekretojë datën e zhvillimit të zgjedhjeve apo referendumeve, dhe se pa fjalën e tij ato nuk mund të zhvillohen.
Lidhur me vijimësinë e punës së Bashkive Meta sqaroi se nuk do të ketë vakanca, pasi krerët aktualë të bashkive do mbulojnë këto poste deri në zhvillimin e zgjedhjeve në një moment të dytë.
Presidenti i Republikës ka deklaruar se shtyrja e zgjedhjeve vendore nuk është një precedent i cili nuk ndodh për herë të parë në vend, duke kujtuar zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës të cilat u shtynë për shkak të mungesës së një kandidati, në një datë me zgjedhjet parlamentare.
Ndërsa kujtoi edhe precedentin e vitit 2017, kur për shkak të krizës politike zgjedhjet u shtyrë për një javë derisa palët politike u ulën në dialog.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.