Nuk ndalet rënia e euros, bie në 128.5 lekë – Dollari prek fundin 4-vjeçar. Rekorde negative dhe për valutat e tjera

Kjo javë ka rezultuar shumë aktive sa i përket luhatjeve në tregun vendas të këmbimit valutor. Kur dukej se “rënia” e thepisur e valutave të huaja në javën e fundit të Marsit po rikuperohej dhe tregu po i kthehej normalitetit, monedhat e huaja që këmbehen në vendin tonë i janë rikthyer trendit negativ duke regjistruar humbje në nivele rekord.
Euro, e cila është valuta e shënjestruar për shkak të përdorimit të madh në ekonominë shqiptare, në fund të kësaj jave gjendet në kursin e 128.5 lekëve dhe blihet për 129.5 lekë. Kjo nënkupton një rënie të fortë me 0.7 pikë ndaj lekut krahasuar me nivelin e ditës së djeshme. Edhe më e madhe është rënia krahasuar me ditën e premte të një jave më parë, kur kjo valutë shitej për 130.4 lekë.
Krahasuar me fillimin e vitit, euro ka një rënie me 4,3%, që do të thotë se ky është edhe niveli i humbjeve për sipërmarrjet shqiptare që eksportojnë në BE dhe për individët e shumtë që paguhen në këtë valutë.
Po aq “dramatike” paraqitet situata edhe për dollarin amerikan në raport me lekun. Sot dollari ka zbritur në kuotën e 105 lekëve, një rënie e lehtë krahasuar me ditën e djeshme, por që i çon humbjet totale të javës në 0.8 pikë.
Edhe më të mëdha janë humbjet e kësaj jave për paundin britanik, i cili ka humbur plot 1.7 pikë dhe është duke iu drejtuar humbjeve të pas-Brexit.
Ditën e premte, në rënie paraqitet edhe dollari australian me 0.5 pikë kundrejt lekut, dollari kanadez me 0.3 pikë dhe franga zvicerane me plot 1 pikë krahasuar me nivelin e ditës së enjte.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.