Nxënësit me arsim profesional, Rama: 20% më shumë mundësi punësimi, se ata me diplomë universiteti
“Arsimi profesional është mundësi e sigurt e punësimit real nesër”, deklaroi kryeministri Edi Rama në “Panairin e Aftësive”, ku shtoi se nxënësit me arsim profesional kanë 20 për qind më shumë mundësi punësimi se ata me diplomë universiteti.
“Anketa e forcë të punës tregon se shkalla e punuëshmërisë së nxënësve që diplomohen në arsimin profesional është 12 për qind më e lartë se e atyre me arsimim të mesëm. Edhe vlera e pagës në vendin e parë të punës është më e lartë te nxënësit me arsim profesional. 20 për qind më shumë është mundësi e punësimit për nxënësit me arsim profesional, në krahasim me ata që kanë një diplomë universiteti. Kjo lidhet edhe me cilësinë mizerabël të diplomave të marra në universitete, por lidhet edhe me urinë e madhe që kanë kompanitë për zanatçinjtë.
Në do vazhdojmë ta nxisim shumë fortë arsimin profesional. Do të shtoja në fund që fokusi te teknologjitë e reja dhe nxitja e të rinjve për të ndjekur rrugët e arsimit profesional, rritjen e kapaciteteve në funksion e teknologjike të reja, janë në një rrugë që sot vazhdon. Sa më shumë profesione, sa më shumë zanatçinj sot aq më shumë mundësi punësimi nesër. Është një rrugë e sigurt drejt punësimit real”.
Rama tha se fokusi i qeverisë është rritja në mënyrë progresive e nxënësve që ndjekin arsimin profesional dhe orientimi i tyre drejt teknologjive të reja.
“Ky panair është në rrugën e krijimit të një tradite. Vetëm pak vite më parë arsimi profesional ishte një element i diskriminuar i sistemit tonë. Vetëm katër vite më parë kishte 3 mijë nxënës në arsimin profesional, që në numër ishin shumë pak, por në kushtet që arsimoheshin ishin fatkeqësisht të harruar dhe të humbur në mes të rrugës.
Sot kemi 19 mijë në arsimin profesional, dhe 6 mijë të tjerë që janë pjesë e kurseve dhe trajnime profesionale. I bie të jeni 20 për qind e nxënësve në territorin e vendit, duhet të jetë shumë më shumë se kaq. Politika jonë në këtë drejtim është e dedikuar që numri i nxënësve që ndjekin arsimin profesional të rritet në mënyrë progresive. Që në arsimin profesional të mos shkojnë vetëm ata që nuk shkojnë në arsimin e mesëm për shkak të rezultateve, por edhe nxënësit më të mirë”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.