Nxitja e sipërmarrjes – Muçostepa: Inovacioni është kusht për suksesin e çdo lloj biznesi
Në vendin tonë po synohet krijimi i një klime nxitëse për zhvillimin e biznesit, kjo në saj të përdorimit të teknologjisë së lartë . Gjatë prezantimit teknik të projektit InTERaCT 4.0, që synon kapërcimin e sfidës së inovacionit edhe për Shqipërinë, kryetarja e Dhomave të Tregtisë, Ines Mucostepa deklaroi se vendi ynë e ka të nevojshme ndërtimin e një sistem mundësish të orientuar drejt përthithjes nga jashtë të aftësive, njohurive, teknologjive.
“Shqipëria është një vend, i cili qëndron shumë prapa barrierave të fundme teknologjike të sotme dhe është duke u zhvilluar sipas paradigmave të modelit Ohlin, i cili është një model matematik për të caktuar skemën e shkëmbimit të të mirave materiale në tregtinë ndërkombëtare, i zhvilluar në Stockholm School of Economics. Në Shqipëri duhet ndërtuar një sistem mundësish i orientuar drejt përthithjes nga jashtë të aftësive, njohurive, teknologjive, metodave, prototipeve të prodhimit nga sipërmarrjet, universitetet, qeveritë, institucionet e tjera publike dhe private. Kjo është rruga e konvergjencës, si për sipërmarrjet, ashtu edhe për shtetet të cilat janë një hap pas”, tha Muçostepa.
Muçostepa dekaroi se inovacioni është kusht për çdo lloj biznesi, në mënyrë që ai të qëndrojë në treg e të ketë sukses të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.
“Në rastin e ofrimit të shërbimeve, inovacion është mënyra e sjelljes me klientin apo afatet e ofrimit të shërbimit. Në të dyja rastet, rritja e cilësisë së produktit të ofruar mall apo shërbim qoftë, gjithashtu është një inovacion”, shtoi Muçostepa.
Përfaqësuesi nga autoriteti menaxhues i programit, Antonio Agrosi deklaron për SCAN pritshmëritë nga ky projekt i nisur tashmë.
“Projekti me titullin Interact 4.0 është një projekt, të cilin autoritetet e menaxhimit të fondeve IPA Shqipëri-Itali dhe Mali i Zi e kanë cilësuar si strategjik. Financimi është rreth 1.1 milionë euro, nga të cilat 900 mijë euro është kuota IPA. Ky projekt është strategjik pasi projekton një rritje të konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, sqaroi Agrosi.
Projekti ka nisur zbatimin që në mars të këtij viti ku janë të përfshira Italia Shqipëria dhe Mali i Zi dhe financohet nga Programi Interreg IPA CBC Itali-Shqipëri-Mal i Zi me vlerën mbi 1.166 milion euro .
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.