Raporti i ILDKPI – Ganaj: Zyrtarët mbi 80 mln euro pasuri të pajustifikuar
Vlera e pasurisë së pajustifikuar nga zyrtarët ka arritur në vlerën e 80 milionë eurove sipas raportit vjetor të ILDKPI. Në raportimin zyrtar që bëri ky institucion pranë komisionit të Ligjeve , drejtuesi i tij Shkëlqim Ganaj është shprehur se janë gjobitur mbi 300 zyrtarë për mos deklarim të pasurisë apo për mos justifikim të saj. Problematikat më të mëdha me deklarimin e pasurive vijnë nga Gjykata e Apelit.
“Inspektorati i Lartë për vitin 2017 ka administruar rreth 17 mijë deklarata. Të gjitha u janë nënshtruar kontrollit aritmetik dhe logjik brenda afatit në mënyrë të plotë. Është përfunduar kontrolli i plotë sipas planit vjetor. 300 zyrtarë janë gjetur në shkelje të ligjit. Janë referuar në organin e prokurorisë, strukturave të hetimit tatimor, Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave rreth 32 zyrtarë, ku 50% e tyre të kenë problem qoftë me fshehje të pasurive, qoftë për deklarime të rreme, qoftë për raste të konfliktit të interesit”, raportoi Ganaj.
Ndërkohë që referuar procesit të vetingut ky institucion ka verifikuar mbi 3 mijë prokurorë, gjyqtar e familjarë të tyre. Ganaj ka bërë të ditur se janë 163 njësi sinjalizuese të shtetit në institucionet me mbi 100 punonjës dhe 446 njësi për sektorin privat. Këta sinjalizues kanë si qëllim që ta raportojnë për raste të korrupsionit, evazionit fiskal apo shkelje të tjera të ligjit. Për vitin që lamë pas nga këta sinjalizues janë raportuar vetëm 8 raste të dyshimta.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.