Plakja e popullsisë në Greqi – Ekonomistët: Po kërcënon rimëkëmbjen ekonomike
Popullsia e plakur e Greqisë po dëmton seriozisht perspektivat afatgjata të rritjes së ekonomisë të vendit, paralajmërojnë ekonomistët nisur nga të dhënat zyrtare demografike.
Në fillim të krizës financiare në vitin 2010, popullsia aktive e Greqisë midis moshës 20 dhe 64 vjeç ishte 7.045 milionë njerëz, ndërsa sot kjo shifër ka zbritur në 6.8 milionë. Ndërkohë, popullsia 20-40 vjeç zë aktualisht 40 për qind të popullsisë, nga 46 për qind që ishte në vitin 2010.
Dhe gjërat vetëm sa do të përkeqësohen, sipas Kombeve të Bashkuara, që parashikojnë se deri në vitin 2025 përqindja e popullsisë aktive në Greqi do të ulet nën 6.5 milionë, me vetëm 2.3 milionë njerëz që formojnë grupmoshën 20-40 vjeçare.
Për më tepër, numri i njerëzve të moshës 65 vjeç e lart pritet të rritet në 2.5 milionë deri në vitin 2025 nga 2.1 milionë në vitin 2010 dhe 2.2 milionë në vitin 2015.
Shkalla e rënies së popullsisë Greqisë është theksuar si një problem serioz nga organizatat ndërkombëtare dhe ekonomistët e njohur.
Dukshëm, numri i fëmijëve deri në moshën 4 vjeç është tashmë në rënie, nga 585 000 në 503 000 gjatë periudhës 2010-2015, ndërkohë që kjo shifër pritet të bjerë në 404 000 deri në vitin 2025, sipas parashikimeve nga OKB, raporton ‘ekathimerini.’
Sipas Zsolt Darvas, ekonomist pranë Bruegel, problemi demografik i Greqisë përbën një kërcënim real për shërimin e brishtë ekonomik të vendit. Zvogëlimi i popullsisë çon në mënyrë të pashmangshme në një tkurrje të ekonomisë, investimeve dhe rritjes, tha ai.
I njëjti problem u theksua nga ish-zyrtari i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bob Traa, në një artikull për ‘ekathimerini’ muajin e kaluar.
Kriza e zgjatur ekonomike e vendit ka rezultuar në një ngadalësim më të shpejtë demografik se sa pritej më parë, shkroi Traa, duke paralajmëruar se mund të marrë një brez të plotë për popullsinë greke për të stabilizuar nga ndikimi i “shokut ekonomik”.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.