OnePlus 5 vjen me 8 GB RAM dhe 128 GB memorje
Më 20 Qershor kompania kineze e smartphone-ëve OnePlus do të lançojë modelin e saj më të fundit, OnePlus 5. Emri është një surprizë e këtij versioni, sepse pas modeleve OnePlus 3 dhe 3T, pritej të dilte OnePlus 4, por ky numër konsiderohet fati i keq në Kinë.
Edhe kësaj radhe telefoni do të vazhdojë të sjellë veçoritë për të cilët çdo përdorues Androidi e preferon. E njohur për specifikat e fuqishme, OnePlus 5 pritet të ketë 8GB RAM, pra së paku dyfishin a asaj çka pjesa më e madhe e celularëve ofrojnë kohët e fundit. Kjo vjen shoqëruar me Snapdragon 835, i njëjti procesor në Galaxy S8.
Ashtu si në versionet e mëparshme, hapësira e telefonit do të jetë 128 GB dhe trupi metalik vjen me një dizajn të thjeshtë dhe elegant.
Një tjetër risi është kamera e pasme 16 MP me dy lente, e përmirësuar në fotot në errësirë dhe me imazhe më të qarta.
Edhe bateria pritet të jetë mes 3600 dhe 4000 mijë mAh, që duket shumë krahasuar me 3500 mAh që ofron Galaxy S8. Burime tregojnë se edhe karikimi i shpejte Dash Charge mund të ketë pësuar ndryshime, duke karikuar telefonin sa për gjithë ditën në vetëm gjysmë ore.
E krahasueshme gjithmonë në performancë me smartphone-ët më të mirë në treg, OnePlus bën gjithmonë diferencën me çmimin. Zërat në Angli thonë se mund të kushtojë nga 45 mijë deri në 55 mijë lekë, çka është një çmim shumë i arsyeshëm dhe përbën një telefon që duhet konsideruar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.