Operatorët në energji – ERE, 5 licenca të reja për prodhim dhe tregtim

Ka një interes gjithmonë në rritje për tregun e energjisë elektrike, ku muaj pas muaji Enti Rregullator i Energjisë autorizon aktorë të rinj për aktivitete të ndryshme.
Të paktën vetëm në mars kemi tre licenca të reja dhënë kompanive të ndryshme ndërkohë që ka filluar procesi dhe për dy të tjerë.
Kështu vetëm pak ditë më parë është dhënë licenca për aktivitetin e tregtimit të energjisë për kompaninë ENPI Energji sh.p.k , si dhe BALKAN Energy Trade sh.p.k. Kompania tjetër Energji Univers sh.p.k është licencuar në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentrali Kabash me fuqi të instaluar 5800 kilovat.
Përveç këtyre licencave tashmë të dhëna, ERE ka hapur procedurat për kërkesën e një tjetër kompanie Grid Energy sh.p.k e cila ka kërkuar licenca në aktivitetin e furnizmit dhe në atë të tregtimit të energjisë.
Plotësimi i tregut me operatorë të rinj të licencuar lehtëson kushtet për nismën e ndërmarrë lidhur me liberalizimin, por edhe funksionimin e një Burse të Energjisë e cila do të ketë më shumë kompani të listuara.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.