Opinion / Johnson kompletoi Brexit! …Me një marrëveshje që nuk kënaqi askënd
Brexit kurrë nuk ishte në thelb një projekt ekonomik. Brexit kishte të bënte me çanëtarësimin nga Bashkimi Evropian. Për shumë njerëz, Brexit ishte një përfaqësues i diçkaje tjetër: ndjenja anti-emigrante, mbase, mosfuqizim ekonomik, ose nostalgji post-perandorake. Këto çështje nuk ishin të parëndësishme për Brexit, por ato kurrë nuk ishin pika kryesore e tij.
Largimi nga BE ishte një propozim politik i ngarkuar emocionalisht. Ishte një dëshirë e rrënjosur në një vizion për sovranitetin britanik, i nxitur nga media e Britanisë, që bëri gabimin e madh të ngatërrimit të sovranitetit me pushtetin. Realiteti i këtij gabimi do të vijë në muajt dhe vitet e ardhshme. Por Brexit nuk kishte të bënte kurrë me çmimin e patateve apo makinave.
Arritja fillestare në prag të Krishtlindjes në lidhje me marrëveshjen tregtare me BE duhet të shihet nga ky këndvështrim. Titujt idiot për një ‘Brexmas’, fshehën faktin se ajo që po festohet është në fakt një marrëveshje e brishtë dhe një lajm i keq ekonomik për Britaninë. Por marrëveshjet tregtare, si rregullime ekonomike, nuk janë objektivat e dorës së parë të Brexit, por pasojat e dorës së dytë. Nëse tregtia e lirë do të kishte qenë objektivi, Britania do të kishte qëndruar në tregun evropian.
Ajo që u ra dakord këtë javë është një marrëveshje më e keqe tregtare sesa kishim si një vend anëtar i BE-së. Britania e ka dëbuar veten nga BE sepse sovraniteti është ai që ka vërtet rëndësi në Brexitland, jo tregtia. Si rezultat, ndoshta për herë të parë në historinë njerëzore, këto kanë qenë negociata tregtare që synojnë t’i largojnë partnerët tregtarë, e jo t’i afrojnë ato.
E vërteta e papërshtatshme dhe ironike është që të gjitha marrëveshjet tregtare, përfshirë edhe këtë, përfshijnë një kompromis që bëhet mbi sovranitetin për hir të përfitimeve reciproke. Kur pluhuri të qetësohet dhe deputetët të kthehen në Westminster për të debatuar mbi marrëveshjen javën e ardhshme, ata do të shohin se Britanisë i është dashur të heqë dorë nga një sasi sovraniteti në mënyrë që të jetë në gjendje të shkojë në tregti me tregun më të madh dhe më të afërt, atë evropian.
I vetmi kuptim në të cilin kjo përbën një triumf për Johnson është se marrëveshja shkëput Mbretërinë e Bashkuar nga BE. Kjo është padyshim e rëndësishme. Është përfundimi i fushatës së gënjeshtrave që Johnson ka bërë për BE-në, përgjatë gjithë jetës së tij.
Johnson nuk është asgjë aq i zgjuar sa mendon se është, por ai nuk është as budalla. Ai e di se afërsia gjeografike dhe rrjetet e furnizimit kanë rëndësi masive në tregti dhe prandaj tregtia me BE nuk mund të braktiset komplet. Ai e di se Zyra për Përgjegjësinë e Buxhetit llogariti se mos arritja e një marrëveshje do të çonte në humbjen e më shumë se 5% të PBB-së gjatë 15 viteve. Ai e di që bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha po mbijetojnë në kufijtë e tyre ndërsa pandemia Covid thellohet. Ai e di që, pas Covid, Mbretëria e Bashkuar do të përballet me presione të mëdha fiskale që do të ishin shumë më keq nëse nuk do të kishte marrëveshje.
Megjithatë, Brexit nuk do të pushojë kurrë së përçari Britaninë. Çështja nuk do të zgjidhet kurrë. Komenti i Von der Leyen se kjo është një marrëveshje e drejtë, e ekuilibruar dhe e përgjegjshme nuk është ajo që deputetët në Britani duan të dëgjojnë.
Edhe në fund të vitit, madje edhe me përhapjen e koronavirusit, madje edhe me shumicën e mendjeve të përqendruara në sezonin festiv dhe madje me pjesën më të madhe të shtypit që portretizojnë me detyrim Johnson si një udhëheqës historik, gjërat mund të prishen në ditët në vijim. Askush nuk duhet të harrojë se, ndër të gjitha cilësitë e tij të shumta, Johnson është një marrës risqesh në politik. Duke pasur parasysh egërsinë e emocioneve që Brexit do të zgjojë gjithmonë, kjo marrëveshje mund të prodhojë një rrezik shumë më të madh se çdokush, përfshirë Johnson, mund ta kuptojë.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: The Guardian Opinion, shkrim nga Martin Kettle.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.