Orientimi i pamjaftueshëm, konkurrencë e lartë në një numër të kufizuar degësh! 37% studiojnë për t’u bërë ekonomistë e juristë
Është posaçërisht oferta në treg ajo që duhet t’i shtyjë studentët që të zgjedhin degën që ofron mundësi më të shumta në të ardhmen e tyre profesionale. Në këto 27 vjet, fusha e ndërtimit, e ekonomisë dhe ajo juridike kanë zënë vendin kryesor sa i takon numrit të diplomave, kjo sepse këtë ka kërkuar tregu. Sipas Institutit të Statistikave 37% e shqiptarëve që ndjekin arsimin e lartë studiojnë për t’u bërë ekonomistë apo juristë.
Të dhënat e INSTAT dëshmojnë një përqendrim të lartë në këto degë studimi, duke i bërë profilet me konkurrencën më të lartë në tregun e punës. Statistikat që janë të disponueshme deri në vitin shkollor të mbyllur në 2016, tregojnë se afro 54 mijë studentë ndjekin arsimin e lartë për shkenca sociale, ekonomi dhe drejtësi. Pas shkencave shoqërore, profili i dytë më i ndjekur janë shkencat mjekësore, me afërsisht 15% të numrit të përgjithshëm të studentëve dhe ato inxhinierike me rreth 12%.
Dyndja e studentëve në këto degë ka bërë që konkurrenca në treg të jetë e lartë, duke lënë jashtë tregut shumë të rinj të cilët më pas janë të detyruar të gjejnë alternativa të tjera punësimi jashtë profesionit të tyre. Kjo gjë sjell edhe çorientim të të rinjve, të cilët nuk arrijnë të gjejnë asnjëherë veten e tyre në profesionin për të cilin kanë marrë diplomën. Mosorientimi i dijes me atë çfarë ka nevojë tregu i punës, sjell edhe mungesa të rëndësishme të forcave të punës në shumë sektorë, të cilat ndikojnë direkt në ekonominë e vendit.
Krahas reformës në arsimin e lartë, ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla ka bërë të qartë bashkëpunimin me universitetet publike dhe private për të përfshirë në to programe të caktuara të cilat i orientojnë studentët drejt tregut të punës. Gjithashtu, ministrja Nikolla e ka nënvizuar me rëndësi orientimin e të rinjve drejt tregut që në arsimin parauniversitar.
Arsimi profesional, 18 500 nxënës
Kjo i dha shtysë edhe zhvillimit të arsimit profesional, i cili ishte anashkaluar apo pak i preferuar nga të rinjtë, të cilët vendosnin të vazhdonin studimet për një profesion. Propaganda, por edhe nevoja reale për disa profesione të cilat ishin drejt zhdukjes, rritën interesin e të rinjve për t’u regjistruar në shkollat profesionale. Që prej viti 2014 filloi zgjerimi i shkollave profesionale me një sërë degësh të reja.
Në vitin shkollor 2017-2018, sipas të dhënave nga Drejtoria e Formimit Profesional u regjistruan 5.700 nxënës në klasat e 10-a, ndërkohë që një vit më parë ndoqën arsimin profesional 18.500 nxënës. Sipas të dhënave nga Drejtoria, degët më të kërkuara janë Hoteleri-Turizëm, Mekanik, Shërbime dhe Teknologji-Informacioni, ndërsa profilet më pak të preferuara janë Përpunimi i Drurit, Ndërtimi dhe Bujqësia. Buxheti për arsimin profesional gjatë 2017-ës u rrit me 35% dhe investimet u dyfishuan.
Gjatë periudhës 2014-2017 u investua në 33 shkolla të arsimit të mesëm profesional dhe 10 qendra të fomimit profesional, janë përmirësuar ambientet e 8 shkollave me infrastrukturën e nevojshme edhe për personat me aftësi të kufizuara, si dhe 8 të tjera janë në proces. Janë blerë pajisje laboratorike për repartet e praktikave mësimore në 15 shkolla të arsimit profesional dhe pajisje për laboratorët e lëndëve të përgjithshme për 20 shkolla. Buxheti i viti 2018 për arsimin profesional kap shifrën prej 2 miliardë e 454 milionë lekëve.
Mungesa e forcës së punës
Shumë kompani biznesi që operojnë në Shqipëri, i trajnojnë vetë stafet e tyre duke sjellë kosto, por edhe kufizim të forcës punëtore dhe mundësi të pakta punësimi, ndërsa ka të tjera që stafet i sjellin nga jashtë duke mos gjetur profesionistë në profilet që kërkojnë. Po cilat janë ato degë ku interesi i studentëve më të mirë është i vogël në një kohë që tregu i punës i kërkon?
Mjedisi nuk po tërheq shumë studentë pavarësisht se perspektivat e vendit tonë në këtë drejtim janë shumë të mëdha, madje Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ndërmarrë nisma konkrete për një mjedis të pastër dhe premtues për zhvillimin e turizmit. Turizmi është një sektor, i cili ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të një vendi, por pa krijimin e një mjedisi të përshtatshëm si një ndër faktorët ndikues, atëherë turizmi nuk mund të jetë në nivelin e synuar.
Gjendja nuk është e ndryshme në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, i cili prej vitesh nuk tërheq më kontigjentin më të përgatitur të studentëve. Kjo pavarësisht eksperiencës së gjatë dhe traditës në përgatitjen dhe formimin e inxhinierëve me cilësi të njohur ndërkombëtarisht, pavarësisht edhe faktit se nëntoka e Shqipërisë është e pasur me minerale të çmuara dhe burime të konsiderueshme nafte dhe gazi. Shumë fusha në vendin tonë ndjejnë mungesë të profesionistëve të rinj.
Nertila Doko/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.