Më pak vepra penale gjatë 2017-ës – Në 3 muajt e fundit u shtuan vjedhjet, mbi 1700 raste

Viti 2017 u mbyll me një numër më të ulët të veprave penale sidomos sa i përket vrasjeve, krimeve në fushën e drogës dhe vjedhjes së pasurisë. Sipas shifrave të INSTAT, vitin e kaluar u regjistruan vetëm 50 vrasje, në krahasim me 71 në vitin 2016, çka përbën një ulje me 29.6%.
Edhe më e theksuar ka qenë rënia sa i takon veprave të evidentuara në fushën e drogës. Me vetëm 2120 raste të regjistruara, kundrejt mbi 3200 rasteve një vit më parë, kemi të bëjmë me një ulje mbi 1/3 në rreth 35.2%.

Edhe në grupin ku regjistrohen rastet më të numërta, atë të vjedhjes së pasurisë, pati një rënie të kriminalitetit me 9.6%, duke e mbyllur vitin me afërsisht 5100 raste. Një rënie të lehtë ka edhe në veprat penale të evidentuara për vjedhje banesash.
Megjithatë, këto dy vepra të fundit kanë shënuar një ringritje gjatë tre muajve të fundit. Për periudhën Tetor-Dhjetor u regjistruan 1432 vjedhje pasurisë dhe 300 raste të vjedhjes së banesave, çka përbën një rritje të konsiderueshme me përkatësisht 19.1% dhe 15.8%.
Vlen të theksohet se sa i takon autorëve të këtyre veprave penale, ka një rënie edhe më të konsiderueshme, çka nënkupton se elementët kriminalë janë pakësuar dhe përgjegjës për krimet janë një grup më i vogël individësh. Gjithsesi shifrat mbetet ende të larta, me 3668 individë të akuzuar për vjedhje pasurie dhe 628 të tjerë për vjedhë banese.
Ndryshe paraqitet situata në veprat penale në fushën e drogës, ku numri i individëve është rritur lehtë gjatë vitit, duke kapur shifrën e 2541 autorëve.
Duke folur sërish në terma rastesh të evidentuara, për të gjithë vitin ka një shtim të veprave penale të rënda kundër pasurisë. Janë 183 raste të regjistruara nga autoritetet për vitin 2017, kundrejt 159 rasteve një vit më parë. E njëjta vlen edhe për krimet kundër shëndetit, të cilat gjatë 2017 u mbyllën në rritje me 14,2% në rreth 137 vepra penale.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.