Paketa Fiskale 2019 – Komisioni i Ekonomisë nuk ndryshon pragun e taksimit të pagave
Pavarësisht debateve të shumta gjatë javëve të fundit, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave nuk ka ndryshuar tatimin mbi pagat. Propozimi i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave për rritjen e pragut të pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë nuk ka marrë votat e deputetëve dhe po ashtu edhe propozimi i ministrit Ahmetaj për taksimin e të gjitha pagave, duke mos bërë asnjë ndryshim në tatimin e të ardhurave personale për qytetarët.
Kryetari i Komisionit, Erion Braçe ka argumentuar edhe më parë qëndrimin e tij, duke shpjeguar se tatimi prej 0% për pagat deri në 40 mijë lekë përkthehet ndryshe në 1300 lekë shtesë në muaj për çdo individ të punësuar. Në fashën e punonjësve që paguhen nga 30 mijë deri në 40 mijë lekë janë rreth 70 mijë individë në vend. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë ka votuar kundër edha sa i përket përjashtimit nga TVSH-ja për imputet bujqësore, pasi Braçe kishte kërkuar TVSH zero për këtë kategori.
Por, vota e tij ka qenë e vetme, ndërkohë që ministri Arben Ahmetaj ka mbrojtur propozimin për përjashtimin e tyre nga skema e TVSH-së. Diskutime të cilat kanë përfunduar me konsensus ka patur gjatë komisionit parlamentar edhe sa i përket rentës minerare.
Ndërkohë, komisioni ka votuar që fishekzjarrët të bëhen pjesë e akcizës, ndërsa pulla fiskale të përdoret edhe për duhanin e grirë. Referuar sistemit të taksave vendore përcaktohet qartë që pensionistët që figurojnë pronarë të banesës së tyre do të përjashtohen nga taksa e ndërtesës.
Sa i përket ndërtesave që janë në legalizim ato do të duhet që të paguajnë 0.5 për qind taksë ndërtimi. Ndërkohë, më herët komisioni ka dëgjuar edhe kandidaturën e propozuar nga Presidenti për kreun e KLSH-së Vitore Tusha.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.