Parlamenti “mposht” May – Dhoma e Lordëve voton kundër daljes nga tregu i përbashkët europian
Dhoma e lartë në parlamentin britanik shkaktoi një tjetër humbje për Qeverinë e kryeministres Theresa May, duke sfiduar planin e saj për të dalë nga tregu i përbashkët i Europës pas Brexit.
May, që është përballur me vështirësi për të bashkuar qeverinë në vizionin e saj për Brexit, ka thënë se Britania do të dalë nga tregu europian dhe unioni doganor pas muajit Mars 2019.
Ky qëndrim ka thelluar ndarjet jo vetëm brenda partisë Konservatore, por në të dy dhomat e parlamentit, që kanë bindje të ndryshime mbi mënyrën më të mirë për të dalë nga Bashkimi Europian, pas më shumë se 4 dekadash të anëtarësisë.
Në një fitore me 245 vota pro 218 kundër, Dhoma e Lordëve mbështeti një amendim në dokumentin e Brexit, ku i kërkon ministrave që të negociojnë vazhdimin e anëtarësisë në Zonën Ekonomike Europiane, që nënkupton se Britania do të qëndrojë në tregun e përbashkët.
Disa mbështetës të Brexit, e përshkruan amendimin si një përpjekje për të kthyer vendimin e popullit britanik.
Kjo është hera e 13 në javët e fundit që Qeveria është mposhtur nga Dhoma e Lordëve në parlament, mbi kushtet e përfundimit të anëtarësisë në BE.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.