Parlamenti Rural – Domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të zonave rurale
Për herë të parë në vend do të krijohet parlamenti rural që do të ketë si qëllim adresimin e problematikave për komunitetin që jeton në zonat rurale. Menaxherja e këtij programi Evelina Azizaj është shprehur në takimin informues se parlamenti do të mundësojë zbulimin e komponentëve problematikë në zonat rurale.
“Dua të listoj një sërë problematikash, sfidash, kufizimesh që karakterizojnë zhvillimin rural në vendin tonë. Janë të gjitha të listuara, të gjitha janë të rëndësishme. Dimë që zonat rurale në krahasim me ato urbane kanë diferenca shumë të mëdha në treguesit e cilësisë së jetës. Ka kufizime që lidhen me burime, kufizime strukturore, ka sfida që burojnë nga reforma territoriale. Në përgjithësi, në Shqipëria të gjitha këto komunitete karakterizohen nga një kapital i dobët social“, tha Azizaj.
Sotiraq Hroni e ka cilësuar krijmin e parlamentit rural si një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik të mëtejshëm të zonave rurale.
“Zhvillimi rural nuk është thjesht në një investim në fushën e bujqësisë, infrastrukturën e blegtorisë, e zhvillimit të turizmit, por mbi të gjitha krahas këtyre, ai është një projekt demokracie. Sepse në themel të tij qëndron partneriteti midis qeverisjes vendore, midis aktorëve të ndryshëm në nivel vendor, shoqërisë civile dhe biznesit. Dhe ku jemi ne në kuadrin e ndërtimit të kapitalit social, në nivel vendor? Nuk mund të realizohet qeverisja në ato parametra që kërkojmë, qoftë qendrore, qoftë vendore, pa një partneritet të duhur me akademinë dhe me shoqërinë civile. Fakti që u përmend këtu dhe ne kemi ardhur këtu, për të promovuar atë që ne e quajmë politika të zhvilluara mbi bazën e provave, fakteve, gjetjeve, studimeve“, u shpreh Hroni.
Zonat rurale në Shqipëri janë njësoj të rëndësishme si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe demografike. Vetëm sektori bujqësor gjeneron rreth 19% të PBB së vendit, ndërkohë që punëson 48% të forcës punëtore.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.