Pas SHBA edhe Europa miraton dozën përforcuese të vaksinës Moderna për personat mbi 18 vjeç!
Agjencia Europiane e Barnave (EMA) tha se një dozë e tretë e vaksinës së Moderna për COVID-19 “mund të merret parasysh” te njerëzit e moshës 18 vjeç e lart. Vaksina zakonisht jepet në dy doza me një distancë prej rreth katër javësh te njerëzit e moshës 12 vjeç e lart.
Por rregullatori europian tha se të dhënat treguan se një dozë e tretë e dhënë gjashtë deri në tetë muaj pas dozës së dytë do të çonte në një rritje të antitrupave që mbrojnë kundër koronavirusit.
Ky injeksion përforcues është gjysma e dozës që zakonisht u jepet të rriturve, tha agjencia. Efektet anësore të vaksinës përforcuese ishin të ngjashme me ato pas dozës së dytë. Ka pasur raste shumë të rralla të inflamacionit të zemrës të raportuara kryesisht tek të rriturit e rinj pas futjes së dytë të të dy vaksinave të koronavirusit mRNA: Moderna dhe Pfizer.
Një injeksion i tretë përforcues i vaksinës Pfizer ishte miratuar tashmë për njerëzit e moshës 18 vjeç e lart të paktën gjashtë muaj pas dozës së dytë. EMA rekomandoi gjithashtu që një dozë shtesë e vaksinave Moderna dhe Pfizer COVID-19 t’u jepet njerëzve me sistem imunitar të dobësuar.
I takon organeve kombëtare të shëndetit publik në Europë të nxjerrin rekomandimet zyrtare duke ndjekur këshillën e rregullatorit europian. Moderna njoftoi gjithashtu të hënën se vaksina e saj COVID-19 ishte e sigurt dhe efektive për fëmijët nga mosha gjashtë deri në 11 vjeç.
Kompania e bioteknologjisë shtoi se së shpejti do të dorëzojë të dhëna të reja tek rregullatorët globalë. EN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.