Patatja shqiptare “mësyn” tregjet e huaja! 6-mujori, dyfishohet eksporti me jashtë
Fermerët shqiptarë duket se e kanë zgjidhur pbolematikën e mosgjetjes së tregjeve për pataten, pasi shifrat e fundit tregojnë më shumë se dyfishim të eksportit të këtij produkti në tregjet e huaja. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë gjysmës së parë të këtij viti janë eksportuar 1303.4 ton patate nga 627.8 ton që janë eksportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa rritja në vlerë monetare, është me rreth 30 milionë lekë, apo me rreth 107.7 për qind.
Konkretisht nga 27.9 milionë lekë që është regjistruar në 6-mujorin e parë të 2017-ës, në 57.9 milionë lekë këtë 6-mujor. Sa i përket shitjes së produktit të patates, fermerët shqiptarë kryesisht në qarqet Korçë dhe Kukës ku ky produkt është më i kultivuar, kanë pasur vështirësi si në gjetjen e tregjeve në vend për shkak të kostove të larta, por edhe në gjetjen e tregjeve të huaja, për shkak të mungesë së sigurisë.
Në vitin 2016, Bashkimi Europian ndaloi importin e patateve shqiptare, për shkak të kritereve të forta për tregtimin e këtij produkti dhe monitorimin që i duhej bërë tokës për 5 vite pa ndërprerje. Më pas BE rihapi eksportin me kusht që të jepet garanci për sigurinë e këtij produkti nëpërmjet analizave të certifikuara, pasi patatja është mbartëse e një sërë sëmundjeve, duke qenë se kultivohet në tokë dhe për këtë, kërkohen monitorime të vazhdueshme.
Në Shqipëri prodhimi i patates llogaritet në rreth 245 mijë ton në vit. Në krahasim me rajonin, Shqipëria lë pas Maqedoninë, Kosovën, dhe Malin e Zi, duke u renditur në vendin e 26-të në Europë, ndër 37 shtete të marra në analizë nga Eurostat sa i përket prodhimit të patates.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.