Paundi mund të rritet drejt $1.35 – Johnson pritet të ndryshojë qëndrimin e ashpër për Brexit
Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, mbase duhet të ri mendojë qëndrimin e tij ndaj Brexit, duke pasur parasysh kundërshtimin e Parlamentit ndaj të ashtuquajturit Brexit i vështirë. Sipas analistëve, nëse kjo ndodh mund të ndikojë paundin tashmë të dobësuar ndjeshëm.
Johnson, i cili fitoi garën për të drejtuar vendin, më herët ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar duhet të dalë nga Bashkimi Europian më 31 tetor me ose pa marrëveshje. Por, kjo thënie mund të mos jetë më pikëpamja e tij mbi Brexit dhe mund të përpiqet të gjejë rrugën më të mirë. Sipas analistëve, nëse Johnson zbut qëndrimin e tij ndaj Brexit, mund të ketë pasoja tek paundi britanik.
Nëse tregjet arrijnë të kuptojnë se mundësitë e një dalje pa marrëveshje fillojnë të zbehen, atëherë paundi mund të rritet drejt nivelit të 1.3 dollarë, mbase edhe drejt 1.35 dollarëve. Në sesionin e së mërkurës monedha britanike kuotohej mbi nivelin e 1.24 dollarëve amerikanë. Që kur Mbretëria e Bashkuar votoi për të dalë nga Bashkimi Europian në 23 qershor të vitit 2016, paundi ka rënë me rreth 13%. Ndërsa rënia e kohëve të fundit i është atribuar qëndrimit të Johnson mbi Brexit.
Gjithashtu, edhe reduktimi i mundësive për zgjedhje të reja në Britani, për shkak të mosmarrëveshjeve të mundshme mes Parlamentit dhe Johnson mbi Brexit, mund të ofrojë mbështetje për paundin. E rëndësishme për tregtarët është fakti nëse Britania dhe Bashkimi Europian do të përpiqen së bashku për të zgjidhur këtë çështje dhe të shmangin një dalje pa marrëveshje.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.