Për “Shkodrën” mendon Kroacia – Resorti 75 mln euro në liqen, amendament në “PE”
Prej kohësh në Mal të Zi është kthyer në një debat të gjerë publik çështja e ndërtimit të një resorti gjigand turistik në liqenin e Shkodrës, që është edhe liqeni më i madh në Ballkan.
Projekti 75 milionë eurosh përfshin ndërtimin e një hoteli, 30 vilave të luksit, restorante, qendër tregtare, pishina, e objekte të tjera. Ambientalistët dhe shoqëria civile në vend ka ngritur shqetësime të shumta, duke pretenduar se ky resort kërcënon integritetin ekologjik të liqenit, duke vënë në rrezik florën dhe faunën.
Madje, çështja së fundmi është diskutuar edhe në Parlamentin Europian. Pavarësisht kësaj, nga pala shqiptare nuk ka pasur ende asnjë reagim, edhe pse liqeni i Shkodrës, i njohur me të njëjtin emër edhe në Mal të Zi, është një pasuri natyrore me vlera mjaft të mëdha për vendin tonë.
Eurparlamentarët e Kroacisë kanë dorëzuar një amendament në parlamentin Europian duke nënvizuar se: “Ka shqetësime të thella për kërcënime që i kanosen integritetit ekologjik dhe vlerave eko-turistike të parkut nacional të liqenit të Shkodrës”.
Me ndihmën dhe mbështetjen edhe të organizatave ndërkombëtare, është vënë në jetë edhe një peticion që ka për synim të shpëtojë liqenin e Shkodrës nga ky resort.
Peticioni kërkon vendosjen e një moratoriumi për të ndaluar ndërtimet brenda parkut kombëtar të liqenit të Shkodrës. Amendamenti i dorëzuar në Parlamentin Europian nga ana tjetër kërkon siguri nga qeveria malazeze se resorti me 5 yje nuk do të ketë impakt negativ në ekosistem.
Biodiversiteti i liqenit kërcënohet edhe nga disa projekte për ndërtimin e disa hidrocentraleve të vegjël. Edhe kjo problematikë tashmë ka shkuar në Parlamentin Europian. Liqeni i Shkodrës është i njohur për biodiversitetin, me 281 specie të ndryshme shpendësh, 48 specie peshqish, etj.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.