Për tregjet e kapitalit”/ Bushati: Projektligji u konsultua me grupet e interesit, formëson Bursën Shqiptare
Kuvendi ka rrëzuar dekretin e kreut të shtetit që kërkonte rishqyrtimin e projektligjit “Për tregjet e kapitalit”. Në fjalën e tij në Kuvend, relatori Ervin Bushati tha se arsyet për të cilat Presidenti e ka kthyer nismën ligjore janë diskutuar në Komisionin e Ekonomisë dhe janë vlerësuar se nuk qendrojnë.
Në fjalën e tij në Kuvend, Bushati tha se argumenti meqë nuk është krijuar ky treg nuk duhet të fillojë e të krijohet tani nuk qëndron. “Ne po e hapim këtë e po vendosim rregulla loje që të krijohet, të funksionojë e të formalizohet ky treg, prandaj nuk mund të vlejë si argument. E dyta, që thotë se do të ishte ndoshta e rrezikshme dhe e dëmshme për ekonominë, ndërkohë që ne e dimë që ky treg sot duhet të formalizohet” tha Bushati, raporton ATSH.
“Ndërkohë që Presidenti e pranoi Eurobondin prej 650 milionë eurosh të lëvruar në tregjet ndërkombëtare, të miratuar e financuar nga tregjet ndërkombëtare që treguan sa lart mund të rankohet Shqipëria në qëndrimin e saj financiar apo ekonomik. Pra vetë Presidenti ishte pjesë me atë që pranoi bursa shqiptare apo tregjet kapitale të kishin borxhin më të madh, të këtij viti po e po, por me sa di unë edhe në të shkuarën dhe e miratoi vetë Eurobondin”, nënvizoi më tej ai.
Sipas deputetit Bushati, me këtë projektligj i hapet rrugë tregjeve kapitale dhe i jepet shpresë ekonomisë, aq më tepër në kontestin e një tërmeti që ndikoi shumë në ekonomi dhe pandemisë botërore që ka qenë një sifidë dhe do të jetë edhe në të ardhmen.
Deputeti Bushati u shpreh se “mazhoranca është e përgjegjshme jo vetëm për të ruajtur shëndetin e qytetarëve shqiptarë, por edhe shëndetin e ekonomisë shqiptare. Për këtë arsye në datën 14 maj, kemi miratuar të gjithë bashkë në Kuvend një ligj, i cili është diskutuar gjatë, që ka pyetur dhe marrë parasysh gjithë grupet e interesit, për të ringjallur tregjet kapitale në Shqipëri për të formësuar atë që quhet Bursa e Shqipërisë”.
Në seancën plenare të datës 9 korrik Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.510, datë 15.06.2020, “Për kthimin e ligjit nr. 62/2020, “Për tregjet e kapitalit” , u rrëzua me 84 vota kundër, 17 pro dhe 8 abstenim.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.