Perceptimi i investitorëve gjermanë – DIHA, 76 % e tyre do të riinvestonin në Shqipëri

Shqipëria ofron mundësi më të mira për investim krahasuar me një vit më parë. Ky është perceptimi i dalë nga rezultatet e anketimit vjetor të Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri.
Në anketimin mbi klimën e biznesit, për sa u përket pritshmërive të ekonomisë shqiptare, kompanitë shpresojnë në përmirësimin e situatës. Pjesa më e madhe e kompanive ka vlerësuar veçanërisht situatën për vetë biznesin si më të mirë, krahasuar me një vit më parë.
Sipas anketës, këtë vit vihet re një rezultat shumë pozitiv i një prej treguesve më të rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm, ku rreth 76% e të anketuarve do të investonin sërish në Shqipëri.
Në vlerësimin e gatishmërisë për të investuar sërish në Shqipëri, vendi ynë ka një rritje pozitive prej pothuajse 10%, krahasuar me vitin 2016 (2015: 66%; 2016: 67%).
Situata për vetë bizneset është vlerësuar gjithashtu më mirë krahasuar me një vit më parë. Rreth 39% e të anketuarëve kanë pohuar se situata e tyre e biznesit është përmirësuar (2016: 28%, 2015: 23%), ndërsa rreth 39% të tjerë kanë deklaruar se situata ka qëndruar e pandryshuar.
Në 2017 pothuajse të gjithë faktorët janë vlerësuar me nota më të larta krahasuar me 2016.
Këtë vit janë vlerësuar pozitivisht 15 faktorë.
-Kostoja e punës
-Produktiviteti dhe motivimi i punonjësve
-Kualifikimi i punonjësve
-Arsimimi akademik
-Disponueshmëria dhe cilësia e furnitorëve lokalë
-Ecurinë e të ardhurave të biznesit
Gatishmëria për rritjen e numrit të punonjësve ka rënë lehtësisht në krahasim me një vit më parë, ku 31% e të anketuarve janë të gatshëm të rrisin numrin e punonjësve, ndërsa janë shprehur që forca e punës në Shqipëri nuk është e përgatitur mirë nga sistemi arsimor për kërkesat e kompanive.
Sipas kësaj ankete, vetëm pesë faktorë tregojnë një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, të cilët janë: Arsimimi akademik; Fleksibiliteti në të drejtën e punës; Sistemi i arsimit profesional; Infrastruktura dhe Kushtet për Kërkim & Zhvillim.
Në këtë anketim nga të gjitha zyrat (AHK) të rajonit EQJL morën pjesë 1.734 kompani, nga të cilat 45 ishin nga Shqipëria.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.