Përgjigjet penguese në vendin e punës – Frazat që duhen shmangur dhe që pengojnë krijimtarinë

Shumica prej nesh punojnë shumë në vendet tona të punës. Kjo ndodh sepse, për ne, ajo punë që bëjmë, do të thotë shumë; sepse bëjmë më të mirën tonë; sepse duam të ecim para në karrierën tonë dhe sepse duam të vazhdojmë të mbështesim veten dhe familjen tonë. Ky ekuilibër i vendosur, shpeshherë mund të shprishet, për shkak të një mënyre të sjelluri nga ana jonë, ose nga ndonjë fjali e thënë pa kujdes. Në një kohë kur ka shumë raste e shembuj të marrëdhënieve të dëmtuara të punës, për shkak të përgjigjeve jo të menduara, ne mund të veçojmë disa prej frazave, apo fjalive, për të cilat duhen patur rezerva, ose që nuk duhen thënë në mjediset e punës.
“Nuk më takon mua ta bëj”
Të gjithëve na ka ndodhur që, njëri prej kolegëve, apo edhe eprorëve ka kërkuar ndihmën tonë, për një problem në punë, i cili është jashtë asaj çka bëjmë përditë dhe ne, herë-herë e kemi pranuar me veten tonë, duke e ndihmuar, e herë të tjera, jo. Në momentet kur kemi thënë jo, ka patur raste që mund të kemi përdorur shprehjen “nuk është puna ime kjo”, e më vonë mund të jeni penduar. Në momentin kur ju shpreheni në këtë mënyrë, njerëzit mund të nënkuptojnë se ju mendoni vetëm për vete. Një mënyrë më e mirë për t’u përgjigjur në kësi rastesh mund të jetë ajo se, ju nuk keni kohë për të ndihmuar dikë në këtë moment dhe mund të thoni se “mund ta bëni më vonë”. Nuk duhet të thoni se “nuk është puna juaj”, pasi, në fund të fundit, kompania është një vend ku punojnë shumë njerëz, për të arritur rezultate të përbashkëta, kështu që ju duhet të jepni ndihmën tuaj, kur keni mundësi. Këtë frazë mund ta përdorni, kryesisht kur dikush që ka më shumë kohë se ju në kompani, jua kërkon këtë ndihmë. Ju duhet të dëgjoni atë dhe propozimin e tij, i cili mbase nuk ka qenë në lartësinë e duhur.
“Nuk ka buxhet për një gjë të tillë”
Ka raste kur në punë, një person ka një ide dhe është shumë pasionant ndaj saj. Ju, në vend që ta dëgjoni dhe të “peshoni” produktin e asaj ideje, i thoni menjëherë se nuk ka fonde. Në momentin që ju përdorni një frazë të tillë me punonjësit tuaj, te ata përkthehet se atyre u duhet thjesht të bëjnë punën e përditshme, (pa kreativitet për gjëra të reja) dhe të arrihet thjesht objektivi ditor. Një mënyrë më e mirë për të pritur këto lloj sugjerimesh është që, ju të thoni se, idetë e mëdha duhen financuar, ose, ndoshta, duhet të ketë një mënyrë për ta bërë atë, me një buxhet më të pakësuar. “Vrasja” e një ideje të re, me të famshmen “nuk ka buxhet” është një mënyrë shumë dritëshkurtër, për të mpakur krijimtarinë e stafit tuaj të punës.
“Ta thashë!”
Në momentet kur dikush nga kolegët tuaj ka patur një ide për të ecur përpara, e cila është provuar, por nuk ka arritur rezultatet e parashikuara, shpesh kemi dëgjuar “A të thashë, që nuk ia vlente?” Nëse veproni në këtë mënyrë, thjesht do të rëndoni barrën e dështimit edhe me qëndrimin tuaj. Në momentin që ju e përdorni një frazë të tillë, ajo mund të përkthehet te të tjerët sikur ju keni qenë duke punuar kundër tyre. “A nuk ta thashë që nuk do funksiononte?” nuk ka ndihmuar kurrë, askënd dhe personi, i cili ka dështuar në ide, nuk është se do të kishte nevojë për ta kuptuar se ka dështuar, edhe pse përpjekjet e tij kanë qenë të mëdha. Mënyra më e mirë në këto raste është heshtja, apo sugjerimi nga ana juaj, për të punuar më me kujdes, në një ide tjetër, më të mirë.
“Nuk po veprojmë sipas procedurave!”
Kjo fjali përdoret shpesh kur dikush ka një ide, e cila nuk përputhet plotësisht me mënyrën që i ka bërë gjërat deri tani, kompania juaj. Në momentin kur ju e shqiptoni një gjë të tillë, njerëzit e kompanisë suaj kuptojnë se në atë vend pune ka vetëm një mënyrë për t’i bërë punët. Një mjedis krijues, zakonisht, nuk përdor vetëm një mënyrë për të bërë punën e tij, në mënyrë të suksesshme. Një ide më interesante rreth përgjigjes në kësi rastesh është se shumica e rregullave nuk janë absolute dhe, nëse një procedurë e bllokon një progres, atëherë ju duhet ta ndërroni atë. Nëse i bëni gjërat në mënyrën “gri” në punën tuaj ju mund të dëmtoni krijimtarinë. Suksesi i karrierës suaj varet nga mënyra se si bashkëveproni me njerëzit e tjerë në mjedisin e punës. Nëse sjellja juaj është e dobët, ose nëse ju po i pengoni të tjerët, edhe pse po bëni një punë të caktuar, karriera juaj, me shumë gjasa, mund të hasë në vështirësi. Këto gjëra, sigurisht, askush nuk i bën me qëllim, por pikat që i diskutuam më lart mund ta shkaktojnë një gjë të tillë, aksidentalisht. Për të shmangur këto situata, ju duhet të shmangni edhe këto pesë shprehi dhe duhet të bëni që shumica e njerëzve, të mbajnë mend punën tuaj të shkëlqyer që keni bërë.
Nga Renato Hysenllari/ SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.