Përshpejtohet plotësimi i Kushtetueses – KED kthen në garë Zhaklina Peton e skualifikuar, gati plotësimi i 5 vakancave
Procesi i plotësimit më kandidatë të Gjykatës Kushtetuese pritet të përshpejtohet pas rikthimit në garë të kandidates së skualifikuar fillimisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë Zhaklina Peto.
Aktualisht KED, ka bllokuar listën e kandidatëve që do i dërgohet Kuvendit, pasi një vendim i Gjykatës së Apelit Administrativ e detyron të përfshijë Peton në listë.
Peto u skualifikua nga KED për shkak të problemeve me pasurinë të konstatuara nga ILDKPKI, sipas së cilës, Peto, nuk kishte deklaluar shtesën e një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 130 metra katrorë, 64 metra prej të cilit rezultojnë verandë.
Gjithashtu ILDKPI konkludon se Peto nuk i gëzon burimet financiare për të justifikuar blerjen e kësaj pasurie. Vetë Peto ka deklaruar se shtesa pa leje është bërë nga pronari i mëparshëm i apartamentit, i cili edhe nuk e ka deklaruar.
Por Apeli Administrativ ka pranuar pjesërisht padinë e Petos, Pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, duke e detyruar KED-në ta përfshijë në garë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka gati kandidaturat për katër vakanca në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që kthimi në garë i Zhaklina Petos plotëson numrin e nevojshëm të kandidatëve edhe për vakancën e pestë.
Një gjë e tillë do t’i shtonte shanset që Gjykata Kushtetuese të plotësohej me numrin e domosdoshëm të anëtarëve brenda vjeshtës.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.