Pije energjike kontrabandë – Arrestohen tre doganierë në Kapshticë
Tre doganierë janë arrestuar për “Shpërdorim detyrë” si edhe tre shtetas të tjerë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”. Gjatë arrestimit janë sekuestruar edhe një sasi pijesh të dyshuara si kontrabandë, për të cilat tre doganierët dyshohet se kanë lejuar kalimin e tyre, pa ushtruar kontrollin përkatës.
Në vijim të punës për goditjen e rasteve të paligjshmërisë, nga specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- F.G 46 vjeç, banues në Tiranë.
- K.N, 34 vjeç, banues në Devoll.
- R.M, 33 vjeç, banues në Pogradec, (të tre me detyrë doganier në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë).
- K. M, 23 vjeç, banues në Devoll.
- R.Sh, 29 vjeç, banues në Devoll.
- M. B, 26 vjeç, banues në Devoll.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Dishnicë, nga shërbimet e Policisë, janë kapur në flagrancë shtetasit K.M dhe R.Sh të cilët drejtonin mjetet duke transportuar një sasi të konsiderueshme me pije energjike dhe pije të tjera, të dyshuara si kontrabandë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ndërsa shtetasi M.B, dyshohet të jetë porositësi i këtij malli.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se këto mjete kanë kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, ku dyshohet se nuk i janë nënshtruar procesit përkatës të kontrollit doganor. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë bazuar në nenet 248, 172, 174 të Kodit Penal.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.