Pikat e paligjshme të basteve – Bie numri i të dënuarve në 179, në 2015 ishin 402

Megjithëse ka shënuar një ulje me 55% krahasuar me vitin 2015, numri i lartë i pikave të paligjshme të basteve mbetet ende një fenomen shqetësues për autoritetet mbikëqyrëse, si dhe forcat e zbatimit të ligjit.
Në fund të vitit 2016 rezultojnë 179 të dënuar për veprën penale të organizimit të lojërave të fatit në shkelje të ligjit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të shkuar janë hetuar nga prokuroria 162 pika bastesh të paligjshme, ndërkohë që shifrat mbeten të larta edhe për këtë vit.
Shifrat kanë ardhur në ulje krahasuar me vitin 2015, kur numri i përgjithshëm i subjekteve të paligjshme të lojërave të fatit arriti në 330, ndërkohë që u dënuan për këtë vepër penale 402 persona.
Rekordi i zbulimit të pikave të paligjshme të basteve i takon vitit 2013, kur u evidentuan plot 729 subjekte në kundërshtim me legjislacionin. Ndërkohë që viti 2014 mban rekordin e ndëshkimeve për këtë vepër penale me 531 të dënuar në total.
Organizimi i lojërave të paligjshme të fatit parashikohet në nenin 197 të kodit penal. Organizmi i lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me dispozitat ligjore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.