Plani i Citi për depozitat – Kërkon t’i tërheqë në mënyrë dixhitale prej mungesës së degëve
Banka amerikane, Citigroup, po përballet me një dilemë unike në katër bankat më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, pasi ka pak depozita nga individët, që përbën një burim të rëndësishëm të financimit që është më pak i kushtueshëm. Ndërkohë që rivalët e mëdhenj tërhoqën ndjeshëm depozitat pas krizës financiare nga rrjeti i gjerë i degëve, Citi e ngushtoi prezencën në vetëm 6 shtete amerikanë dhe mbylli 1/3-ën e degëve. Banka po përpiqet të rikthehet tashmë me një aplikacion të ri që planifikon ta prezantojë në tremujorin e tretë.
Ekzekutivët shpresojnë se do të tërheqë depozitat pa hapur degë të reja, blerë banka rivale apo mposhtur konkurrentët nëpërmjet normave të interesit, që janë 3 mënyrat për të mbledhur depozita duke pranuar rrezikun dhe kostot. “Njerëzit janë të gatshëm që të zgjedhin një bankë që mund ta ofrojë këtë eksperiencë në aparatë celularë”, shprehet kreu i bankingut retail dhe kredive hipotekore ie Citi, David Chubak.
Konkurrenca për depozitat është e rëndësishme ndërkohë që rriten normat e interesit. Kur huadhënësit të raportojnë rezultatet për tremujorin e dytë, investitorët do të monitorojnë me detaje nivelin e depozitave dhe kostot e tyre. Citi ndodhet në vështirësi, ndërkohë që ka më pak përfitueshmëri se rivalët dhe përballet me objektiva të vështirë financiar të vendosur nga ekzekutivi. Citi, që është banka e 3 më e madhe në SHBA, ka 4% të depozitave në SHBA, krahasuar me rreth 11% te JPMorgan, Bank of America dhe Wells Fargo, sipas Standard & Poor’s.
Depozitat e bankës janë gjithashtu më të kushtueshme, për shkak se një pjesë e madhe vjen nga institucionet dhe klientët e pasur, që kërkojnë norma më të larta. Citi pagoi 0.81% në llogaritë bartëse të normave të interesit në SHBA për 2017-ën, krahasuar me më pak se 0.3% nga 3 bankat e tjera.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.