Plani për uljen e CO2 – Nga kreditë për banesa të gjelbra, te makinat elektrike

Ka një projektligj për ndryshimet klimatike që po diskutohet prej pak kohësh me grupe të ndryshme interesi.
Por ky draft në një nen specifik të tij parashtron edhe detyrat që kanë ministritë e linjës. Sipas fushës që mbulon secila, Ministria e Mjedisit ka përcaktuar edhe opsionet e mundshme për t’u zbatuar, dhe këto opsione nisin nga energjia, tek kreditë për banesa të gjelbra tek dhënia e incentivave për blerjen e makinave elektrike.
Kështu janë shtatë fusha që janë përcaktuar në draft si të nevojshme për t’u përditësuar në dokumente dhe politika të ministrive të linjës.
Së pari në fushën e prodhimit të energjisë: energjitë e rinovueshme, shpërndarja, menaxhimi i shpërndarjes, ruajtja e energjisë, produktet/ teknologjitë që mbështetin sistemet energjitike inteligjente, qendrat e të dhënave për përdorimin e energjive të rinovueshme.
Së dyti në fushën e eficencës së energjisë: ndërtesat tregtare të gjelbërta, kreditë për banesa të gjelbërta, teknologjitë dhe produktet me përdorim eficent të energjisë, përmirësimet e teknologjisë.
Së treti në fushën e transportit: transporti publik, infrastruktura për automjete elektrike, skema të qiradhënies së bicikletave, automjete me shkarkime të pakta.
Më pas vijnë me radhë katër fusha të tjera si ujërat, menaxhimi i mbetjeve, përdorimi i tokës dhe përshtatja infrastrukturore.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.