“Plas” kërkesa për makina elektrike dhe hibride në Europë – Në Janar-Mars u regjistruan 212 mijë automjete

Kërkesa në Europë për automjete me karburant alternativ është rritur ndjeshëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, me 37,6% më shumë regjistrime krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, nga Janari deri në Mars të vitit 2017, në Bashkimin Europian u regjistruan 212, 945 automjete që përdorin forma alternative të karburantit.
Brenda grupit të automjeteve me karburant alternativ, automjetet e karikueshme elektrikisht, kanë patur një rritje prej 29,9%, ku automjetet me bateri (+489%) janë të preferuara ndaj atyre që karikohen me prizë (+13%). Janë mbi 47 mijë njësi të cilat u regjistruan në këtë grup automjetesh.

Kërkesa kryesore është për automjetet hibride, pra një kombinim i elektrikes ose formave të tjera. Janë 111 mijë njësi të regjistruara për tre muajt e parë të vitit, një rritje me 61,2% krahasuar me 2016.
Regjistrimet e makinave të reja që përdorin gaz natyral ose propan u rritën gjithashtu me 10,4%.
Ndarë në shtete, është Spanja dhe Gjermania që kryesojnë kërkesat për këto automjete, me një rritje prej përkatësisht 87,4% dhe 67,5%. Në tregjet kryesore automjetet elektrike dhe ato hibride janë më të shiturat, ndërsa në Itali kërkesat për makina të furnizuara me gaz LGP përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të makinave me karburant alternativ. Automjetet e reja të regjistruara në Itali që furnizohen me gaz përbëjnë pjesën kryesore të këtij tregu specifik, me 46 mijë automjete të shitura, nga totali prej 54 mijë automjetesh të shitura në të gjithë unionin.
Tregu më i madh për njësi të shitura vijon të mbetet Franca, ndjekur nga Gjermania, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda.
Shtimi i numrit të këtyre automjeteve mund të ketë ndikuar edhe në lëshimet e CO2, pasi statistikat e publikuara të enjten nga EUROSTAT tregojnë se emetimet janë ulur me 0,4%.
Angelo Haruni/SCAN
Daimler, BMW, Porsche dhe Ford bashkohen për ndërtimin e pikave të karikimit të makinave me bateri elektrike
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.