Platformë e re online për menaxhimin e administratës publike dhe burimeve njerëzore
Këshilli i Europës dhe Ambasada e Zvicrës, në bashkëpunim me qeverinë e Shqipërisë, kanë lançuar një portal të ri për administratën publike. Platforma përmbledhëse do të shërbejë për menaxhimin e burimeve njerëzore për të gjitha nivelet e administratës.
“Në vitin 2015 ky projekt regjistroi elektronikisht për herë të parë të gjithë punonjësit vendor – që nga pastruesit deri tek kryetarët e bashkive. Sot kjo platformë është akoma edhe më e plotë dhe e shndërruar në një instrument që përmirëson menaxhimin e burimeve njerëzore.
Ajo lejon më shumë transparencë, barazi dhe llogaridhënie ndaj punonjësve, qytetarëve, si dhe brenda strukturave qeverisëse” tha Ambasadori zviceran, Adrian Maitre.
Gjatë aktivitetit u vu theksi në arritjet kryesore të dhjetë viteve punë të projektit të përbashkët të Këshillit të Evropës dhe Qeverisë së Zvicrës “Fuqizimi i Strukturave të Qeverisjes Vendore në Shqipëri”.
“Platforma, duke qenë gjithashtu një mjet raportimi, siguron raporte të vërteta dhe informacione të përditësuara mbi treguesit kryesorë si rekrutimi, lirimet nga puna, ngritjet në detyrë, procedurat disiplinore, etj.” u shpreh Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Portali lidh institucionet publike duke riorganizuar të gjitha funksionet në një vend të vetëm. Projekti vazhdoi që prej vitit 2009 dhe u fokusua në krijimin e standardeve të reja në qeverisjen vendore dhe në ndërtimin e kapaciteteve të reja për administratën publike në Shqipëri.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.