Polakët, jo vetëm pushime në Ballkan – Importet nga Shqipëria rriten me 40%, “bum” shkëmbimesh me Maqedoninë

Numri i lartë i turistëve që vijnë nga Polonia për të pushuar në vendin tonë apo në shtetet e tjera të Ballkanit, duket se ka bërë që të krijohen edhe lidhje tregtare. Këtë e vërteton rritja e shkëmbimeve që Polonia ka patur me pothuajse të gjitha vendet e zonës.
Vetëm importet nga Shqipëria kanë pësuar një rritje prej 40.8% në tre muajt e parë të vitit, duke u fiksuar në 3 milionë euro.
Rritja ka qenë e njëtrajtshme në pothuajse të gjithë rajonin, si me Bosnje & Hercegovinën me 31.5%, me Malin e Zi në 86.4%, me Serbinë në 25.3%.
Por ndryshimi më i madh në importin e mallrave të huaj, Polonia e ka me Maqedoninë duke u katërfishuar. Maqedonia është bërë kështu shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor, me të cilin ky vend ka një bilanc negativ tregtar, të fiksuar në 9.6 milionë euro.
Shkëmbimet me Kosovën dhe Shqipërinë mbeten shumë të ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Në raport me të gjithë Ballkanin Perëndimor, Polonia ka një bilanc tregtar pozitiv prej 171 milionë eurosh.

Ndonëse të dhënat e fundit të disponueshme për shtetet individuale i takojnë periudhës Janar-Mars, statistikat e Qershorit tregojnë se ka vijuar performanca pozitive në importet nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore duke u rritur me 27.5%.
Rritja është e ndikuar edhe nga një periudhë e ekonomisë polake, e cila ka nisur nga Korriku i vitit 2016, ku blihen më tepër mallra nga jashtë se sa eksportohen.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.