Policia Kufitare e Rinasit: “I refuzohet kërkesa për azil 324 shtetasve”
324 shtetas të kthyer nga vendet e BE-së të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil politik apo janë kapur pa dokumente. Kjo në saj të intensifikimit të punës së Policisë Kufitare të Rinasit, në bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Po ashtu policia e shtetit përmes një njoftimi për mediat bënë me dije se janë refuzuar në dalje nga Shqipëria 62 shtetas, pasi nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Iu është refuzuar hyrja 10 shtetasve të huaj, që dyshohet se udhëtonin me dokumente të falsifikuara si dhe janë proceduar penalisht 11 shtetas, të cilët kanë kaluar kufirin jeshil në mënyrë të paligjshme nga pika të ndryshme të kalimit kufitar dhe janë kthyer nga policitë homologe.
Në kuadër të forcimit të masave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, për sezonin turistik në aeroportin e Rinasit, në ndihmë të Policisë Kufitare është duke kryer shërbim edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Policia Kufitare e Rinasit ka marrë një sërë masash edhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimit, kryesisht për eliminimin e vonesave qoftë në përpunimin e dokumentacionit, ashtu edhe të kontrollit fizik dhe të bagazheve.
Lidhur me abuzimet nga ana e punonjësve, policia bënë thirrje qytetarëve të denoncojnë në numrin e gjelbër të vënë në dispozicion, duke garantuar marrjen e masave në mënyrë të menjëhershme.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.