PPP-të, “shi” miliardash në Europë! 6 vende europiane kanë kontraktuar projekte mbi një miliard euro. Modeli që po ndjek Turqia

Pas marrjes së mandatit të dytë, qeveria e Partisë Socialiste ka marrë një vendim stratgjik lidhur me investimet publike: ajo do t’i bashkohet tendencës globale të kryerjes së veprave publike përmes projekteve të partneritetit publik-privat. Në mungesë të hapësirave fiskale për të kryer investime masive, qeveria do të tentojë të shfrytëzojë mundësitë e sektorit privat dhe sistemit financiar në vend. Në mënyrë simbolike, kjo është prezantuar si “platforma 1 miliard euro”, megjithëse shpenzimet për projektet e shpallur atë këtij lloji vlerësohet se do të jenë më shumë se kaq. Por, sigurisht që Shqipëria nuk është vendi i parë që do të tentojë të përdorë masivisht PPP-të. Sipas studimeve të kompanisë McKinsey, shpenzimet globale për infrastrukturën publike, përfshi transportin, ujësjellës-kanalizimet, vepra energjetike dhe telekomunikacionet, arrijnë në 2.5 trilionë dollarë. Por, nevoja për vepra të këtij lloji llogaritet në 3.5 trilionë dollarë në vit. Për të mbushur këtë boshllëk, shumë vende tashmë po përdorin në përmasa të mëdha mekanizmin e PPP-ve.
Tregu i PPP-ve në Europë
Prej afërsisht një dekade, PPP-të janë shndërruar në një instrument që po përdoret gjerësisht në Europë. Sipas një studimi të Bankës Europiane të Investimeve (BEI), vetëm për vitin 2016 vlera e kontratave të miratuara të PPP-ve arriti në 12 miliardë euro. Shifrat tregojnë se, për vitin 2016, janë gjashtë qeveri europiane që kanë kontraktuar investime publike përmes PPP-ve në vlerë më të madhe se një miliard euro. Kryesimin e mban Mbretëria e Bashkuar, ku vlera e PPP-ve të kontraktuara vitin e kaluar ishte rreth 3.8 miliardë euro. E dyta renditet Franca me rreth 2.4 miliardë euro, ndërsa e treta është Turqia me diçka më pak se 1.7 miliardë euro. Hollanda dhe Gjermania janë në rreth 1.2 miliard euro, ndërsa Sllovakia është vendi i gjashtë që ka kontraktuar PPP në kufijtë e një miliard eurove. Të tjera shtete që po i përdorin PPP-të në përmasa të konsiderueshme janë Irlanda, Italia dhe Austria. Raporti i BEI evidenton 10 shtete europiane që kanë nënshkruar të paktën një kontratë PPP për vitin 2016. Vendi që i ka shfrytëzuar më shumë PPP-të në pesë vitet e fundit është sërish Britania e Madhe, me gjithsej 120 kontrata, për një vlerë totale prej afro 25 miliardë eurosh.
Në vlerë monetare, pjesa më e madhe e kontratave kanë shkuar për projekte në transport, me 3.6 miliardë euro, të ndjekura nga projektet në shëndetësi me 2.3 miliardë euro dhe në arsim me 1.6 miliardë euro. Të tjerë sektorë me investime në vlera të mëdha përmes PPP-ve ishin mbrojtja, telekomunikacionet dhe mjedisi. Të dhënat tregojnë se kreditorët kryesorë të këtyre projekteve ishin bankat tregtare, për një vlerë totale prej 1.6 miliardë eurosh gjatë vitit 2016. Të një financues me peshë ishin investitorët insitucionalë (fonde invesimesh dhe pensionesh), si edhe bankat e zhvillimit.
Përvoja e Turqisë, 131 mld USD në PPP
Turqia është aktualisht një nga shtetet që po e përdor masivisht mekanizmin e PPP-ve për investime publike. Sipas të dhënave nga Ministria e Zhvillimit në Turqi, ky vend ka 187 projekte aktive të PPP-ve, për një vlerë të kontraktuar prej 54.5 miliardë dollarësh amerikanë. Këtyre iu shtohen edhe 34 projekte të tjera që janë në fazë financimi apo ndërtimi, për një vlerë prej afro 77 miliardë dollarësh. Në total, projektet e PPP-ve janë 221 dhe vlera totale e kontratave arrin në mbi 131 miliardë dollarë. Numri më i madh i projekteve është i përqendruar në energjetikë, ndërsa vijojnë autostradat, portet aeroportet dhe komplekset spitalore. Modelet ligjore të PPP-ve që adoptohen në Turqi janë të ndryshëm. Për infrastrukturën rrugore, modeli kryesor është ai që parashikon ndërtimin, operimin dhe transferimin e veprës në fund të periudhës së parashikuar në kontratë. Modele të tjera të PPP-ve janë ato që parashikojnë ndërtimin , qiradhënien dhe transferimin , si edhe modeli ndërtim-operim, pa një transferim në favor të shtetit. Sipas legjislacionit turk, sipërmarrësve iu kërkohet të financojnë të paktën 20% të investimit me kapitalet e veta, ndërsa pjesa e mbetur mund të sigurohet përmes huamarrjes. Turqia gjithashtu aplikon edhe lehtësi për përfshirjen e bizneseve në këto projekte. Lehtësitë fillojnë që nga përjashtimi nga taksat e deri te përdorimi pa pagesë i aseteve publike.
Shqipëria, projektohen PPP në vlerë 240 miliardë lekë
Në buxhetin e vitit 2018, shpenzimet totale për financimin e projekteve të partneritetit publik-privat do të arrijnë në 9.4 miliardë lekë. Kjo shifër përfaqëson rreth 2.4% të të ardhurave tatimore të pritshme për vitin 2017, duke qenë, sipas qeverisë, plotësisht brenda tavanit prej 5% të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit. Megjithatë, ajo çka është bërë deri tani është vetëm fillimi i përdorimit të PPP-ve në buxhet. Në total, vlera e kontratave të PPP-ve me financim buxhetor, të nënshkruara deri tani, arrin në afërsisht 90 miliardë lekë. Për vitin 2018, është parashikuar të nënshkruhen tetë kontratat të reja të PPP-ve, për një vlerë totale prej afro 157 miliardë lekësh. Gjashtë prej tyre do të jenë kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, më konkretisht Rruga e Arbrit, Rruga Tiranë-Thumanë-Vorë, Kashar-Rrogozhinë, Milot-Balldre, Kardhiq-Delvinë dhe Orikum- Himarë. Vitin e ardhshëm, do të nënshkruhen kontratat për ndërtimin me PPP të shkollave të arsimit parauniversitar në Tiranë, si edhe kontratat e ndërtimit të Spitalit Rajonal të Fierit. Në total janë mbi 240 miliardë lekë kontrata koncesionare që do të paguhen nga buxheti i shtetit dhe, praktikisht, vlera ende e papaguar e këtyre kontratave është borxh publik i paformalizuar. Po të llogarisim vlerën e tyre, disa prej të cilave përfundojnë në vitin 2047, borxhi publik qartësisht do të rezultonte shumë më i lartë se 68.6% e PBB-së, që është edhe objektivi i qeverisë për vitin e ardhshëm. Nëse shumës së borxhit publik të parashikuar për vitin e ardhshëm i shtojmë edhe vlerën e përafërt të kontratave të PPP-ve të nënshkruara, si edhe ato të planifikuara për vitin 2018, borxhi publik shkon në mbi 70% të PBB.
Bankat: OK PPP-ve, por nuk mund t’i financojmë të gjitha
Sistemi bankar shqiptar e mirëpret platformën e PPP-ve të prezantuar nga qeveria shqiptare, megjithatë, thekson se një nismë e këtyre përmasave nuk mund të financohet e gjitha nga bankat. Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se çdo projekt që kërkon të hapë perspektivë, të përmirësojë vendin dhe të sjellë mundësi të reja zhvillimi dhe punësimi është i mirëpritur.
“Modeli i PPP-ve nuk është një shpikje e jona; ai përdoret pothuajse në të gjithë vendet dhe në situata të ndryshme. Ne e vlerësojmë dhe mendojmë se projektet që janë hedhur për diskutim të gjitha kanë një vlerë praktike. Megjithatë, shuma që flitet është e madhe. Në parim, bankat janë të hapura të marrin pjesë në këtë nismë dhe ta financojnë atë pjesërisht. Përveçse financohet një subjekt privat, në rezultat të fundit përfiton vendi,” shprehet ai.
Megjithatë, për sa i takon vendimmarrjes, z.Brumbulli thotë se kjo duhet parë rast pas rasti, në varësi të eficiencës së projektit dhe kritereve të vetë bankave.
“Këto janë mundësi reale që ekonomia të zhvillohet. Sigurisht, nëse bankat do të financojnë, kuptueshëm ato kanë kërkesat dhe kriteret e tyre. Bankat nuk falin para; bankat janë biznese, që kanë detyrime ndaj depozituesve, t’i përdorin me përgjegjësi paratë e tyre. Bankat nuk mund të rrezikojnë në asnjë moment sigurinë e depozituesve dhe stabilitetin financiar të vendit. Nga kjo pikëpamje, ka një garanci që, nëse projektet janë vërtet rentabël, ato janë të mirëpritura për t’u financuar. Për bankat kjo platformë paraqet interes dhe ato e mirëpresin; më tej, çdo gjë duhet analizuar rast pas rasti,” thotë z.Brumbulli.
Megjithatë, z.Brumbulli thotë se në alternativë mund të kërkohen financime të jashtme, përfshi grupet bankare që kanë banka këtu dhe mund të shfaqin interes për këto projekte, siç ndodhi në të shkuarën me Rrugën e Kombit.
“Nëse çështja shtrohet a kanë mundësi bankat të financojnë njëherësh 1 miliard euro projekte, përgjigja është “jo”, nuk mund t’i financojnë. Bankat kanë kufizime për ekspozimin te një kredimarrës i vetëm, edhe në raport me kapitalin që kanë. Nuk duhet të mendojmë se një miliard euro do financohet nga bankat. Vetëm një pjesë e vogël do financohet prej tyre,” thotë ai.
Ekspertët: PPP-të, shans për Bursën
“Platforma 1 miliard euro”, e prezantuar nga qeveria shqiptare mund të jetë një mundësi për të aktivizuar tregun e kapitalit në Shqipëri. Elvin Meka, ekspert i tregjeve financiare thotë se bankat nuk duhen parë si alternativë e vetme për financimin e këtyre projekteve. Sipas tij, koincidenca me hapjen e Bursës së parë private është një shans i mirë për të provuar sigurimin e financimeve përmes instrumenteve të këtij tregu. Ai është i mendimit se, sipërmarrjet të cilat do të fitojnë kontratat për këto projekte, mund të provojnë shumë mirë që një pjesë të financimeve t’i sigurojnë përmes emetimit të obligacioneve.
“Në kushtet kur mund të kemi një lloj rezistence nga ana e sektorit bankar për financimin e këtyre projekteve, sipërmarrja mund të konsiderojë edhe emetimin e letarve me vlerë të borxhit, pra, të obligacioneve. Kjo mund të shënojë një pikë kthese, për sa i përket zhvillimit të letrave me vlerë private në Shqipëri. Për më tepër, tashmë kemi realitet Bursën e parë private, që do të shërbente si treg për emetimin e këtyre instrumenteve dhe për sigurimin e financimeve nga sipërmarrja,” thotë z.Meka.
Në korrik të këtij viti, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi Bursën Shqiptare të Titujve (ALSE), institucioni i parë i këtij lloji me kapital privat në historinë e tregut financiar shqiptar. Ekspertët besojnë se pikërisht titujt e borxhit korporativ mund të jenë instrumenti që paraqet perspektivat më të mëdha të zhvillimit në afatin e shkurtër. Tashmë, janë disa kompani, kryesisht në sektorin financiar, që po aplikojnë emetimin e obligacioneve korporative si instrument huamarrjeje. Në raport me kredinë bankare, instrumentet e bursës mundësojnë sigurimin e sasive më të mëdha të kapitalit, në një kohë më të shkurtër dhe me kushte më konkurruese. Projektet e PPP-ve mund të jenë një rast i mirë që kompanitë të testojnë huamarrjen publike përmes obligacioneve. Duke pasur parasysh shtrëngimin në rritje nga sistemi bankar, edhe për shkak të masave të reja rregullatore në Eurozonë, tregu i titujve mund të jetë një alternativë e mirë për sigurimin e financimeve nga sipërmarrësit e këtyre projekteve. Statistikat e viteve të fundit tregojnë se emetimi i obligacioneve është ndër format e financimit të PPP-ve në Europë, ndonëse jo kryesori. Sipas të dhënave nga Deloitte, si vlerë, përqindja e PPP-ve të financuar nëpërmjet obligacioneve varion nga 5% për vitin 2016 deri në afro 18% në vitin 2014.
Ersuin Shehu/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.