Precedenti i ri: 10 mijë euro gjobë për prindërit që publikojnë fotot e fëmijëve në rrjete sociale

Një vendim i gjykatës së Romës i datës 23 dhjetor 2017 ka dënuar një nënë me detyrimin për të dëmshpërblyer të birin me 10 mijë euro e për të hequr nga rrjetet sociale të gjitha fotografitë e tij. Pas këtij vendimi, janë ankesat e një djali 16 vjeçar i cili disa herë kishte protestuar për sjelljen e prindërve, që ishin përfshirë në një proces divorci dhe që kishin publikuar në rrjet detaje nga çështja gjyqësore. Këto detaje, mesa duket, e kanë vendosur të riun në siklet, aq sa i ka kërkuar gjyqtarit që ta ndihmojë të shkojë në SHBA për të krijuar një jetë të re e për të studiuar atje.
Kjo është hera e parë që në Itali vendoset detyrimi me gjobë për prindërit që publikojnë foto e video të fëmijëve në rrjetet sociale. Në fakt, në këtë mënyrë Italia i bashkohet Francës, pasi edhe atje ndëshkimet për raste të tilla janë më të ashpra. Në Francë, dhunimi i privatësisë nga ana e prindërve kundrejt fëmijëve sjell një sanksion që shkon deri në 45 mijë euro e madje edhe burgosje deri në 1 vit.
Gjyqtari është bazuar në nenin 96 të ligjit për të drejtën e autorit që parashikon se portreti i një personi nuk mund të ekspozohet pa vullnetin e tij, me përjashtim të disa rasteve të veçanta. E për ta përforcuar vendimin, gjyqtari i është referuar edhe një konvente për të drejtat e të miturve të vitit 1989.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.