Prezantohet drejtori i ri i Portit të Durrësit, Pirro Vengu! Në ceremoni merr pjesë dhe drejtori i dorëhequr
Mëngjesin e së hënës, në ambientet e Autoritetit Portual Durrës, Kryetarja e Bordit Drejtues, Viola Haxhiademi, njohu të pranishmit me vendimin e Këshillit për të pranuar dorëheqjen e ish-drejtorit, Agron Tare, ndërsa ka prezantuar pasardhësin në këtë detyrë, Pirro Vengu.
Referuar njoftimit zyrtar, Tare ka falenderuar stafin për punën e deritanishme dhe uroi Vengun për detyrën e re.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, Pirro Vengu, nënvizoi besimin që i është dhënë nga drejtuesit e qeverisë dhe dikasteri i MIE, ndërsa kërkoi më shumë impenjim për realizimin e objektivave për të ardhmen.
“Prioritet i punës sime në vijim mbetet siguria e portit, ruajtja e trendit financiar me ritmet e deritanishme dhe zhvillimi i mëtejshëm i nyjes më të rëndësishme të Shqipërisë”, – tha kreu i sapo emëruar i APD-së.
Pirro Vengu vjen në krye të APD-së pas një eksperience drejtuese disa vjeçare, fillimisht pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe së fundmi pranë Këshillit të Ministrave, ku ka drejtuar për dy vite Departamentin e Administrimit, Transparencës dhe Antikorrupsionit (DATAK).
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.