Prindërimi, “sfida” e bukur përballë fëmijëve!

Nga Jolanda Shuaipi
Fëmijëria, periudha më e bukur e jetës është harku kohor ku fëmija është i pastër për nga natyra, është mendje thithës, prandaj ka nevojë më shumë se kurrë për një edukim të mirë. Por, vallë nga kush dhe si të edukohet? Meqë familja paraqet ambientin e parë të shoqërisë në të cilën fëmija jeton, rritet dhe zhvillohet prandaj edhe edukata, nismën e saj e ka në familje. Periudha më e përshtatshme për rrënjosjen e bazave të mirëfillta të edukatës është mosha 1-6 vjec.
Këtë pohim të rëndësishëm e bën Anila Bega Cohen, specialiste e politikave të prindërimit dhe C.E.O e “Shalom Center Albania”. Ajo pohon se kjo periudhë është jashtëzakonisht e rëndësishme për formimin e karakterit të personalitetit të ardhshëm të fëmijës, kështu që edukata familjare në këtë etapë të zhvillimit është mese e nevojshme. Nëna dhe babai janë dy shtyllat kryesore të formimit të botës së një fëmije dhe secili prej tyre ka një rol të pazëvendësueshëm.
Për rrjedhojë, fëmija formon personalitet në kontekst të jetës kulturore dhe shoqërore, të cilën së pari e njeh përmes dritares së shtëpisë së vet. Ai, në të vërtetë, e njeh botën e jashtme nëpërmjet syve të prindërve. Anila Bega Cohen ndalet dhe shpjegon moshën e hershme, Sipas saj, ajo është mosha në të cilën fëmija pranon lehtë ndikimin edukativ, sepse sistemi nervor i tij është tejet elastik. Në këtë moshë mund të edukohet dhe këshillohet më lehtë, sesa kur të kalojë në periudhën e pjekurisë. Shkenca e psikologjisë e ka vërtetuar se periudha parashkollore ka rëndësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e mëvonshëm të njeriut.
Kjo moshë ka pasuri mendore të pabesueshme, të cilat nëse nuk zhvillohen mund edhe të humbin. Nuk mohohet fakti se njeriu, pareshtur zhvillohet deri në fazën e pjekurisë, mirëpo është vërtetuar se ndryshimet më intensive, si në aspektin anatomiko-fiziologjik, ashtu edhe në aspektin e sjelljes bëhen në periudhën e fëmijërisë, prandaj dhe konsiderohet si periudha më mbresëlënëse në tërë jetën e njeriut. Shpjegimi i gjithë zhvillimit tek fëmijët është i ndikueshëm nga shumë faktorë, të cilët ndikojnë në edukimin e mirëfilltë të fëmijëve, mirëpo ndër më të rëndësishmit, sipas specialistes së politikave të prindërimit Anila Bega Cohen janë: struktura e personalitetit të prindërve; cilësia e marrëdhënieve ndërpersonale familjare, në veçanti marrëdhëniet ndërmjet prindërve; niveli arsimor i prindërve; gjendja ekonomike.
Katër kategori prindërish!
Për Anilën, e cila punon çdo ditë me fëmijët, familja duhet të jetë shëmbëlltyrë e një morali ideal, për t’iu ofruar fëmijëve ngrohtësi, dashuri dhe përkujdesje prindërore. Të gjitha këto aftësi njeriu duhet t’i ketë përpara se të bëhet prind.
Këtu, me të drejtë gjen vend fjala e urtë: “Njeriu nuk mund t’i japë tjetrit atë që nuk e ka vetë.” Hulumtimet e shumta që kanë bërë psikologët dhe sociologët vërtetojnë se tek fëmijët, të cilëve u ka munguar dashuria prindërore dhe respekti i nënës në veçanti, është paraqitur ngecje e dukshme në të gjitha aspektet e jetës, në krahasim me fëmijët të cilët janë rritur në mjedis familjar të strukturuar dhe funksional të rregullt. Shpesh, prindërit, nga dëshira e madhe që fëmijëve t’ua plotësojnë çdo dëshirë, bëjnë gabime të cilat rezultojnë në një edukatë jo të mirë.
Në ditët e sotme ndeshemi më së shumti me katër kategori prindërish. Prindërit neglizhues, në rastet më të mira, u sigurojnë fëmijëve nevojat bazë, si: ushqim, strehim, por janë të papërgjegjshëm në plotesimin e nevojave emocionale, sociale dhe edukative. Ata janë pothuajse të papërfshirë; më shumë përqendrohen tek interesat personale dhe nuk u kushtojnë kohë fëmijëve, të cilët ndjehen të padëshiruar dhe të parëndësishëm para prindërve.
Prindërit autoritarë janë shumë të rreptë dhe urdhërues. Ata hbesojnë në autoritetin dhe bindjen absolute. Nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, ata janë të gatshëm të përdorin ndëshkimin, qoftë edhe fizik, ose janë shumë kritikë ndaj tyre. Fëmjët e formuar në këtë mënyrë kanë vetëvlëresim të ulët për veten dhe ndihen të frikësuar ndaj sfidave dhe eksperiencave që bëjnë. Prindërit liberalë nuk vendosin kufij, duke krijuar fëmijë të përkëdhelur, pa respekt dhe të paaftë të bëjë vetë zgjedhje. Prindërit liberalë e përdorin ndëshkimin shumë rrallë dhe në mënyrë të çrregullt. Këta prindër kanë më shumë mundësi të kenë probleme me sjelljen e fëmijëve të tyre. Fëmijëve që rriten pa kufij bota u duket nje vend shumë i vështirë për të jetuar. Prindërit demokratikë i shohin fëmijët si të barabartë, jo nga përvoja dhe mençuria, por nga ajo e vlerave njerëzore.
Ndikimi i babait te fëmija
Babai mbetet një ndër figurat kyçe në rritjen e fëmijës, po aq i barabartë sa e edhe e nënës. Figura e tij është mbi të gjitha e rëndësishme për formimin e psikologjisë së fëmijës. Nëse ai angazhohet në edukimin e fëmijës së vet që në fazën e hershme, rezultati është një fëmijë më social, miqësor, i besueshëm, aktiv në shoqëri dhe individ i shëndetshëm. Studimet e realizuara tregojnë se baballarët aktivë përçojnë siguri tek të vegjlit e tyre.
Për këtë arsye dhe përballja e fëmijëve me të panjohurën ndodh shumë më lehtë, falë sigurisë që gëzojnë brenda tyre. Fëmijët do jenë të aftë të kalojnë më me lehtësi situatat e tensionuara dhe sigurisht të pajisur me një kuriozitet të pashoq për të mësuar të panjohurën. Cohen këmbengul tek rëndësia e figurës së babait, duke treguar se përkujdesja e babait lidhet ngushtë me jetën sociale të pasur, me pjekurinë dhe sjelljen e fëmijës.
Referencë mbi gjithçka janë studimet e realizuara; ata janë tregues të asaj se çka po ndodh. Bazuar në ta del rezultati se fëmijët e baballarëve të përkushtuar janë më socialë dhe janë pikërisht këta fëmijë që duhet dhe kanë më tepër vëmendje në shoqërinë e tyre. Sipas specialistës është e çuditshme, por e vërtetë, që kjo gjë ndodh sepse këta kanë më pak ndjenja negative, krijojnë më pak zënka, tregohen më tolerantë dhe janë më të ndjeshëm dhe të kuptueshëm.
Koha e kaluar me fëmijët është gjëja më e rëndësishme. Vihet re se fëmijët që kanë një baba aktiv janë më pak gënjeshtarë, depresivë dhe hiperaktivë. Në rastet kur atmosfera mes prindërve është e tensionuar, me debate të shumta, dhe jo e lumtur, ajo bëhet një faktor ndikues në sjelljen agresive të fëmijës. Në rastet kur jetohet në një harmoni familjare dhe marrëdhëniet mes prindërve shkojnë mirë, kjo atmosferë ndikon pozitivisht në karakterin e fëmijës.
Baballarët e përkushtuar kanë një sjellje të ndjeshme ndaj fëmijëve; ata janë të kujdesshëm, tolerantë, mbrojtës, e mbështesin fëmijën e tyre si dhe e qetësojnë atë në situata të caktuara. Ata formojnë një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme me fëmijët e tyre.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.