Procesi elektoral – Urdhëri i kryeministrit: Asnjë kandidat dhe parti të mos përdor fondet publike për qëllime partiake
Për të nxitur paanshmëri në procesin zgjedhor të datës 18 qershor 2017, si dhe nxitjen e trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhënie me administratën publike dhe burimet e saj, Kryeministri ka lëshuar një urdhër, nëpërmjet të cilit ndalon çdo kandidat dhe partitë politike përdor fondet dhe burimet publike për qëllime partiake.
Në urdhër thuhet se “Titullarët e ministrive, të institucioneve/organeve të varësisë, të organizojnë menjëherë punën dhe të marrin masat e nevojshme për garantimin e zbatimit të detyrimeve ligjore, për ndalimin e vënies në përdorim, për subjektet zgjedhore, të mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, pronë e administratës publike, si dhe burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike, të çdo niveli, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 18 qershor 2017”.
Sipas urdhrit, duhet të merren masa për ndërprerjen e marrëdhënies së punës apo pezullimin nga shërbimi civil të punonjësve që janë të regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e Kuvendit.
“Automjetet shtetërore, si dhe karburanti, në përdorim të titullarit, ndalohen të përdoren për veprimtari të fushatë zgjedhore. Përjashtim bën rasti i përdorimit të automjeteve të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale”,
Ndërsa të gjitha ministritë dhe institucionet/organet e varësisë, me qëllim shmangien e keqpërdorimit dhe keqinterpretimit të aktiviteteve institucionale me fushatën elektorale, duhet të publikojë në faqen zyrtare:
1.deri në datën 16 maj, të dhënat për aktivitetet publike, programuara për muajt qershor dhe korrik;
2.listën e projekteve të nisura prej 12 muajsh, në ushtrim të punës dhe veprimtarisë së institucionit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.