Prodhimi i qumështit në Shqipëri – Tregu 600 milionë euro përballë sfidës së formalizimit
Shqipëria prodhon në vit rreth 1.15 milionë tonë qumësht, ose rreth 400 litra qumësht për frymë. Statistikat tregojnë se qumështi është një produktet më të rëndësishme ushqimore që ne prodhojmë, megjithatë, shfrytëzimi i këtij produkti vuan probleme të formalizimit dhe të sigurisë ushqimore. Statistikat e Instat tregojnë se vetëm 11% e qumështit të prodhuar në vend grumbullohet në fabrikat e përpunimit; për pjesën e mbetur, mund të supozojmë se tregtohet në rrugë informale ose përdoret për nevojat familjare të fermerëve. Sipas shifrave të Eurostat, në vendet e Bashkimit Europian norma e grumbullimit varion nga 72% në 100%. Përjashtim vetëm Rumania (22%) dhe Bullgaria (48%). Norma e grumbullimit të qumështit në Kosovë rezulton të jetë rreth 24.3%, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Qumështit në Kosovë.
Duke pasur parasysh shkallën e lartë të informalitetit, llogaritja e volumit të tregut të qumështit nuk është e lehtë. Sipas INSTAT në vitin 2016, sasia e qumështit të grumbulluar nga fabrikat e përpunimit ishte rreth 125 mijë tonë. Duke llogaritur një çmim shitjeje me pakicë të qumështit prej rreth 0.7 eurosh për litër, volumi i tregut formal të qumështit rezulton rreth 87.5 milionë euro. Sidoqoftë, përmasa reale e tregut është shumë më e madhe. Nëse llogaritim rreth 1 milionë tonë qumësht që nuk hyjnë në zinxhirin formal të përpunimit, me një çmim disi më të ulët, të nivelit 0.5 euro për litër, vlera e qumështit të prodhuar në vend, por që nuk përfshihet në statistikat e grumbullimit, arrin në më shumë se 510 milionë euro. Duke mbledhur volumin e tregut formal dhe informal, mund të themi me përafërsi se Shqipëria prodhon çdo vit qumësht për një vlerë tregu rreth 600 milionë euro. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në vend veprojnë rreth 400 baxho të përpunimit të qumështit, por pjesa më e madhe e tyre duket se veprojnë në informalitet.
Reforma, kategorizim i qumështit
Bazuar në këto të dhëna, kompanitë e mëdha të qumështit ngrenë edhe pikëpyetjet mbi informalitetin e lartë dhe sa nga ky qumësht konsumohet i pakontrolluar. “Pyetja që shtrohet është se çfarë përdorimi gjen rreth 89% e qumështit të prodhuar në vend, sasi e cila vlerësohet se nuk kalon përmes një procesi përpunimi në sektorin e blegtorisë dhe agro-industrisë? Nga kjo diferencë, sa është shifra reale e informalitetit në sektorin e qumështit? A ushqehen shqiptarët me qumësht dhe nënprodukte të tij të kontrolluara dhe të përpunuara sipas standardeve të lejuara të ushqimit?”
Në ditët e para të janarit, Ministria e Bujqësisë lançoi nisjen e aksionit në sektorin e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, me qëllim përmbushjen e standadeve të sigurisë ushqimore. Ndryshe nga sa jemi mësuar me reformat, të cilat nisin me masa ndëshkuese, reforma aktuale në industrinë e qumështit dhe nënprodukteve të tij, është konceptuar fillimisht si mbështetje për sipërmarrjet e më pas në kontroll. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi theksoi se deri më tani “zinxhiri i kontrollit, i monitorimit i shëndetit të kafsheve, i vaksinimit, nuk ka qenë siç duhet të jetë, dhe në fund fare, koston e paguan konsumatori shqiptar”. Peleshi ka theksuar se Shqipëria është ndër vendet e fundit në Europë që po ndërmarrin këtë hap. “Kemi filluar një reformë të sigurisë ushqimore. Në skemën e AZHBR – së për të qenë më konkret, ka masa për mbështetjen e investimeve në baxho psh, apo në fabrikat e përpunimit, apo në pajisjen e blegtorëve me mjetet e mbledhjes së qumështit, e mjeljes së qumështit, e magazinimit e mbajtjes së qumështit në mënyrë sa më higjenike, sa më të pastër edhe sipas standardeve ushqimore”, u shpreh Ministri.
Reforma do të synojë një kategorizim të këtij produkti dhe konsumatori do të jetë i qartë për atë që konsumon, por edhe si një mënyrë stimulimi për blegtorët në mënyrë që të arrijnë cilësinë maksimale. “Jemi duke punuar për të sanksionuar tri kategori të qumështit, A, B dhe C. E parë, e dytë dhe e tretë, që ka lidhje me ndotjen mikrobike të qumështit. Në qoftë se qumështi është me ndotje mikrobike të ulët, konsiderohet kategoria e parë. Shteti, qeveria përmes kësaj skeme do të paguajë, për çdo litër 100 lekë të vjetra,” ka sqaruar ministri Niko Peleshi.
Reforma e qumështit, kompanitë: E domosdoshme dhe vonuar
Reforma në industrinë e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij është mirëpritur nga kompanitë që operojnë në këtë sektor, madje është cilësuar edhe e vonuar. Elivar Golemi, drejtore e përgjithshme e kompanisë “AGS Sh.p.k” thekson se ky është një fillim i mbarë, pasi kompanitë kanë qenë në vështirësi për shkak të mungesës së cilësisë dhe informalitetit.
“Prej disa vitesh sektori i përpunimit të qumështit në vend po përballet me vështirësi shumë të mëdha në treg, duke bërë që një pjesë e kompanive të përpunimit të qumështit të falimentojnë apo të jenë në vështirësi financiare për shkak të cilësisë së qumështit dhe tregut informal”, shprehet Golemi për revistën “SCAN Magazine“.
Sipas Golemit, reforma ka në fokus kryesisht fermerët, pikat e grumbullimit dhe baxhot e vogla, ku edhe problematikat dhe informaliteti janë më të shumta, por nga ana tjetër sugjerohen masa për luftën ndaj informalitetit.
“Më pas është e rëndësishme që kjo reformë të vijojë me mbështetjen dhe standardizimin e kompanive të përpunimit të qumështit, të cilat janë më të pakta në numër dhe për hir të së vërtetës kanë bërë investime të mëdha në teknologji. Njëkohësisht, nevojitet të ndërmerren masa për hartimin dhe zbatimin e një strategjie të integruar në luftën kundër informalitetit, mbështetur në politika nxitëse dhe mbrojtëse fiskale, duke synuar: eliminimin e fenomenit të qumështit të rrugës, përshkallëzimin e luftës kundër informalitetit në kanalet e shpërndarjes dhe të shitjes deri tek konsumatori i fundit, si dhe propozimin e një politike fiskale të rishikuar në mbështetje të formalizimit dhe reformimit të sektorit të qumështit, për të nxitur dhe mbrojtur prodhimin vendas dhe industrinë e qumështit, përfshirë uljen e normës së TVSH-së”, thekson drejtoresha e “AGS Sh.p.k”.
Edhe për kompaninë e qumështit “Erzeni shpk” kjo iniciativë vlerësohet e vonuar.
“Reforma është e mirëpritur nga ne, pra pa plotësuar kushtet higjieno-sanitare askush nuk mund ta përpunojë atë. Reforma në vetvete ka për qëllim jo vetëm ne si përpunues (ata përpunues që nuk përmbushin kushtet) por edhe fermerët, që t’i certifikojë pasi në Shqipëri fermat e mëdha janë të pakta dhe sasia më e madhe e qumështit prodhohet nga fermerë të vegjël me nga 5-10 lopë. Këta fermerë kanë mbetur të vegjël për vetë faktin se toka në Shqipëri është në sipërfaqe të vogla dhe fermerët nuk kanë kapacitete prodhuese”, thekson Saimir Begaj, drejtor në Drejtorinë e Kontabilitetit.
Posted by Niko Peleshi on Monday, January 15, 2018
Industria vuan cilësinë e lëndës së parë
Mungesa e cilësisë në lëndën e parë, është problemi më i madh me të cilin përballen kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit. “Problemi më i madh që ka industria e qumështit sot është lënda e parë, certifikimi i fermerit, pasi janë të vegjël dhe nuk kanë kushtet e duhura. Duke mos pasur shumë toka, fermerët nuk rrisin dot kapacitetet prodhuese dhe duke mos rritur kapacitetin prodhues nuk rrisin kushtet higjieno-sanitare”, shprehet përfaqësuesi i “Erzeni shpk”, Saimir Begaj. Të njëjtin shqetësim ndan edhe kompania “AGS sh.p.k“. “Problematikat janë të shumta, duke filluar nga cilësia e qumështit lëndë e parë, si rrjedhojë e kushteve jo të përshtatshme të mjeljes, grumbullimit dhe transportimit të tij nga fermeri tek operatorët e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit; për të vijuar më pas me një shkallë të lartë informaliteti të shtrirë në të gjitha hallkat e këtij sektori që nga fermeri dhe deri tek tregtari më i fundit; si dhe për të përmbyllur ciklin me papërshtatshmërinë e autoriteteve rregulluese dhe kontrolluese të sektorit të qumështit”, thekson Elivar Golemi, përfaqësuese e kompanisë. Operatorët nënvizojnë se mjelja e lopëve nga fermerët bëhet kryesisht me dorë pasi makineritë e mjeljes kushtojnë si dhe duhen sanifikuar me detergjentë të certifikuar që do të thotë kosto e shtuar ditore, si dhe nuk kanë as konteinerë për ruajtjen e tij. “Problem tjetër jo pak i rëndësishëm janë me qindra baxho në të gjithë territorin (rreth 430 subjekte) të cilat nuk përmbushin standardet minimale, shtrimin me pllaka të objektit apo investime në makineri e paisje që nuk bëhet fjalë fare”, shprehet Begaj. Për shkak të kësaj situate, një pjesë e kompanive përpunuese po vlerësojnë mundësinë e importit të qumështit të papërpunuar nga vendet e rajonit, pavarësisht kostove të larta të transportit. Znj.Golemi bën me dije se kjo për ndodh për arsye se “qumështi i fermerëve në Shqipëri në një shkallë të lartë nuk i plotëson kriteret dhe standardet e lejuara për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit. Një numër i vogël fermash funksionojnë me mjete më të sofistikuara për mjeljen, ruajtjen dhe transportin e qumështit të papërpunuar. Për shkak të sasisë së kufizuar të qumështit me cilësi dhe parametra të pranuara për përpunim, këto fermerë diktojnë çmimin e tregut, duke vendosur çmime mjaft të larta për shitjen e qumështit lëndë e parë për kompanitë e përpunimit (më të lartat në rajon).”
Siguria e qumështit
Kompanitë që përpunojnë qumësht janë koshiente se rastet flagrante të abuzimit në biznese të shumta në këtë sektor, informaliteti i lartë dhe kontrollet sporadike të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, kanë krijuar ndjesinë e pasigurisë tek konsumatorët. Sipas znj. Golemi, megjithëse kompanitë kanë marrë masa për garantimin e sigurisë ushqimore, duke investuar në përmirësimin e teknologjive të përpunimit dhe paketimit në fabrikat e tyre, zbatimin e standardeve ndërkombëtare të përpunimit dhe cilësisë ushqimore, investim në burimet njerëzore, sërish ato kanë rezultuar të pamjaftueshme. “Këto masa asnjëherë nuk janë të mjaftueshme përsa kohë lënda e parë qumësht është jo në përputhje me standardet e kërkuara, apo kur tregu vijon të operojë masivisht në informalitet,” thekson Golemi, drejtore e kompanisë “AGS shpk”. Përfaqësuesi i “Erzeni shpk” Saimir Begaj sqaron të gjithë procesin që bëhet para se qumështi dhe nënproduktet e tij të dalin në treg, analizat si dhe siguron që produkti final që blihet nga konsumatorët është i sigurt, pavarësisht problematikave të mëdha që hasen në grumbullimin e qumështit.
“Duke ditur që fermerët nuk kanë kushtet e duhura të ruajtjes ne e grumbullojmë qumështin dy herë në ditë, kemi pajisur grumbulluesit me pajisjet e duhura të kontrollit paraprak dhe nëse qumështi nuk përmbush kushtet e duhura, nuk pranohet. Kryejmë çdo ditë me qindra analiza fiziko-kimike, qelizat somatike dhe antibiotiko-rezistenca,” thekson ai.
Masat për një treg më të sigurt
Kompanitë sugjerojnë që përpos mënyrës se si është konceptuar reforma në sektorin e qumështit nga Ministria e Bujqësisë, duhen marrë edhe masa të tjera shtesë, të cilat konsiderohen si urgjente.
“Masat urgjente që duhet të ndërmerren janë forcimi i strukturave dhe rolit të AKU-së për zbatimin me rigorozitet të kontrolleve përsa i përket cilësisë dhe parametrave mikrobiologjikë të qumështit lëndë e parë që përdorin kompanitë e përpunimit të qumështit; forcimi i rolit të veterinarisë, ofrimi e shërbimit falas për fermerët nga pushteti lokal dhe ministria e linjës, me qëllim përfundimin e procesit të matrikulimit të kafshëve, trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve për marrjen e analizave dhe certifikimin e produkteve; trajnimi dhe edukimi i fermerëve me qëllim rritjen e kapaciteteve për përmirësimin e cilësisë së qumështit, si dhe mbështetjen e inovacionit në agrikulturë,” shprehet Golemi.
Saimir Begaj nga kompania “Erzeni” thotë se është emergjente që fondi i planifikuar të vihet në dispozicion të fermerëve që kanë 10-50 lopë, pasi kjo kategori ka nevojë imediate për investime me qëllim arritjen e standardit europian. Ndërsa ulja e burokracive është një tjetër propozim.
“Propozimi ynë ka qenë dhe vazhdojmë të insistojmë në pagesën 10 lekë/litër për fermat e mësipërme, me kusht qumështin konform standardit. Të ulen burokracitë në plotësimin me dokumentacionin e nevojshëm për subvecionimet, që do të thotë fermeri të dorëzojë një kopje të niptit, bashkëngjitur faturat e shitjes dhe analizën mikrobike të qumështit pranë drejtorisë rajonale të bujqësisë dhe menjëherë t’i miratohen subvecionet”, thekson Begaj.
Pengesat për eksport
Pavarësisht investimeve në teknologji që kanë bërë kompanitë, aktualisht vendi ynë nuk eksporton produkte të qumështit (përveç Kosovës) pikërisht për shkak të moscertifikimit të tyre dhe kritereve strikte që kanë vendet e Bashkimit Europian, apo të rajonit në këtë drejtim. Kjo e ka penalizuar shumë industrinë, pasi kapacitetet prodhuese janë të larta. “Një nga arsyet kryesore të ndalimit të produkteve shtazore në BE ka qënë certifikimi i fermerit. Pra, kushtet i paske në rregull, prodhimin në rregull, po lëndën e parë ku e gjete? Deri më sot kemi pasur kërkesë të brendshme për të gjithë sasinë e prodhuar dhe nuk kemi kërkuar shumë për tregje të huaja, por duket që tregu vendas sa vjen dhe po maturohet dhe tregjet e huaja janë të pashmangshme”, shprehet Saimir Begaj, përfaqësues i “Erzeni shpk”. Ndërsa importet e këtij produkti vijnë gjithnjë e në rritje duke mbizotëruar tregun. Kështu, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, sasia e qumështit të importuar është rritur në vitin 2017, duke u regjistruar në 10.8 mijë tonë nga 10.4 mijë tonë që ka qenë në vitin 2016. Rritja është reflektuar edhe në vlerëm e regjistruar në 918.3 milion lekë gjatë viti që lam pas, nga 886.7 që ka qenë në vitin 2016. Sipas kompanive që operojnë në këtë sektor, pengesat për gjetjen e tregjeve të tjera, përveç Shqipërisë dhe Kosovës lidhen me mangësitë në kuadrin e përgjithshëm të zbatimit të politikave institucionale në shkallë vendi. “Mangësi të evidentuara në zbatimin e programit kombëtar për mbrojtjen ndaj brucelozes dhe tuberkulozit tek kafshët e imta, gjurmueshmëria e sistemit për menaxhimin e kontrollit dhe cilësisë së qumështit të papërpunuar në ferma, mungesa e akreditimit të laboratorëve shtetërorë ose privatë për bërjen e analizave të plota të qumështit, sipas standardeve të përcaktuara në vendet e BE-se, etj, të gjitha këto kanë bërë që dyert për eksport të produkteve blegtorale të mbyllen për kompanitë shqiptare edhe në rastet kur produktet konkurojnë denjësisht në cilësi me produktet e ngjashme të importit” thekson Elivar Golemi, përfaqësuese e kompanisë “AGS shpk”.
Plani i masave, para në dorë për cilësi të lartë të qumështit
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë masa konkrete për të zbatuar reformën në sektorin e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Më shumë se masa administrative, është parashikuar që ndërhyrjet të jenë përmes mbështetjes së këtij sektori me incentiva fiskale. Masat konkrete janë:
-500 lekë/krerë – për krerë të lindur të matrikulluar, për fermat me mbi 100 krerë dele dhe/ose dhi ;
– 2 000 lekë/krerë- për fermat me mbi 10 krerë lopë; -70 % të vlerës, maksimumi 2500 lekë /njësi- për enët e certifikuara për transportin e qumështit, nga ferma në pikat e grumbullimit dhe përpunimit;
-10 lekë për litër, në fermat me mbi 15 krerë lopë, kundrejt faturës tatimore të shitjes dhe raport-analizës laboratorike përkatëse; -50% e vlerës totale të faturave tatimore- për pajisjen me makineri dhe për modernizimin e proceseve të punës në fermat blegtorale me jo më pak se 10 lopë dhe jo më pak se 100 të imëta; -30 milionë lekë, për të ndërtuar një pikë grumbullimi; 1 milion lekë/tanker ftohës, për fermat me 10 lopë e lart; 1 milion lekë për sistemet ftohëse të qumështit për pikat e grumbullimit
Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.