Produkte me vaj palme – AKU dërgon për analiza mostrat e bulmetit
Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka marrë mostra në subjekte të cilat prodhojnë dhe përpunojnë produkte me bazë qumështi (gjalpë, djathë kaçkavall, salcë kosi), të cilat do të analizohen në Institutin e Sigurisë Ushqimore Veterinare (ISUV) për përmbajtje të vajit të palmës.
Masat janë marrë bazuar në shqetësimin e ngritur nga një emision investigativ, ku produktet e bulmetit rezultonin me praninë e vajit të Palmës, ndërsa në etiketat e produkteve të mara si mostra, nuk është e deklaruar përmbajtja e yndyrës bimore (vaj palme). Sipas listës së publikuar, nga analizat që iu bënë këtyre produkteve pranë ISUV, gjithsej 20 mostra, ku 16 prej të cilave ishin gjalpë dhe 4 të tjera djathë kaçkavall, vetëm 1 ka rezultuar afër normave normale.
Sipas specialistëve, por edhe mjekëve, vaji i palmës klasifikohet si një produkt i dëmshëm për shëndetin e njeriut nëse përdoret pa kriter, apo në sasi të mëdha. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se ndaj operatorëve të biznesit ushqimor produktet e të cilave do të rezultojnë të përziera me vaj palme dhe të padeklaruar në etiketë, do të merren masa konform legjislacionit ne fuqi.
Ky institucion thekson ndër të tjera se për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, mbetet i hapur dhe bashkëpunues me konsumatorët për të gjitha shqetësimet, denoncimet e konsumatorëve, si dhe të gjitha rastet e denoncuara në media, apo pranë portalit online “Inspektori Digital”.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.