Produkte ushqimore me afat të skaduar – AKU gjobit subjektin me 300 mijë lekë
Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit gjatë inspektimit dhe monitorimit të 53 bizneseve për zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe respektimin e sigurisë ushqimore ka konstatuar një subjekt me aktivitet “supermarket” në qytetin e Fierit për tregtim të nënprodukteve të qumështit, me afat të kaluar përdorimi.
Ndaj këtij subjekti bën me dije AKU u vendos masë administrative “gjobë” në masën e 300 mijë lekëve si dhe u morën 6 mostra për kryerjen e analizave laboratorike.
“Në kuadër të zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së Covid 19, është vërejtur një sensibilizim në masë të madhe të subjekteve ushqimore, të cilat kanë respektuar të gjitha masat e marra nga qeveria, pajisjen me maska dhe doreza, përdorimin e dezinfektuesve, mos prerjen e bukës dhe largimin e prerëseve nga ambientet e punës, si dhe ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve të bëra,” njofton AKU.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë të jetë i pranishëm në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë ushqimore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.