Produktet bujqësore që na rrezikojnë! Eksperti i bujqësisë bën një analizë të detajuar të problematikave që has vendi ynë

Mungesa e standardeve të sigurisë, një sistem i cunguar gjurmueshmërie, kontrollet primitive në tregje dhe agrobiznese si dhe mungesa e certifikatave, janë disa nga faktorët që sjellin mungesë sigurie ushqimore, deri në rrezikshmëri shëndetësore nga produkte të caktuara. Eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku bën një analizë të detajuar të problematikave që has vendi ynë dhe konsumatori në këtë drejtim si dhe tregon piketat, mbi të cilat duhet ecur për të garantuar një sistem që mirëfunksionon.
“Kontrolli ushqimor në Shqipëri shpeshherë ka formën e fushatave duke mos i kontrolluar operatorët në detaje mbi anën thelbësore të menaxhimit për rritjen e sigurisë ushqimore. Është detyrim ligjor i AKU-së që të ushtrojë funksionin e saj dhe të garantojë konsumatorët e brendshëm dhe të jashtëm mbi plotësimin e standardeve ushqimore për produktet e prodhuara në vend, si dhe ato të importuara.”
“Baxhot e qumështit të cilat operojnë pa licencë prodhimi, pa certifikime të standardeve minimale kombëtare, hedhin në treg një volum prodhimi që shkon deri në 15,000 tonë nënprodukte të qumështit.”
Është folur shumë për sigurinë ushqimore, por duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar. Si mund ta përkufizoni situatën sa i përket sigurisë ushqimore të konsumatorëve aktualisht dhe a po bëhet sa duhet në këtë drejtim?
Në Shqipëri plotësimi i standardeve të sigurisë ushqimore mbetet një problem. Produktet tona ushqimore për disa aktivitete bujqësore plotësojnë standardet minimale të kërkuara nga legjislacioni ynë në fuqi. Shqipëria në lidhje me legjislacionin ka plotësuar kushtet kryesore të vendosura nga BE-ja. Sidoqoftë, risk në sigurinë ushqimore shfaq i gjithë zinxhiri blegtoral që lidhet me prodhimin e mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tyre. Për këtë arsye, Shqipëria produktet e zinxhirit blegtoral nuk i ka akoma të mundësuara t’i tregtojë në vendet e BE-së. Pavarësisht se në vitet e fundit janë kryer investime të një teknologjie të lartë në përpunimin e qumështit, produktet e këtij sektori kanë barriera për t’u eksportuar në vendet anëtare të BE-së. Gjurmueshmeria e produktit me origjinë shtazore është pengesa e vetme për eksportet shqiptare.
Nëse i referohemi Raportit të Komisionit Evropian të datës 9.11.2016 vërejmë mosplotësim të një sërë masave që lidhen me sigurinë ushqimore. Ndër to mund të përmendim: Nuk janë bërë përmirësime në monitorimin mikrobiologjik të qumështit të papërpunuar, i cili nuk është kryer në mënyren e duhur; të intensifikohen përpjekjet për të krijuar një regjistër fermash operacional dhe të konsoliduar të kafshës, si pjesë integrale të sistemit të administrimit dhe kontrollit të integruar. Mungesë raportimi të sëmundjeve të kafshëve; nuk ka kapacitete për të monitoruar mbetjet e pesticideve.
Ministria e Bujqësisë e ka përdorur shpeshherë termin “garantimi i sigurisë nga ferma në tavolinë”, në të vërtetë sa arrihet kjo sot dhe a funksionon realisht sistemi i gjurmueshmërisë?
Nisma që ka marrë Ministria e Bujqësisë nën termin “nga ferma në tavolinë” përkon me kontrollin vertikal të gjurmueshmërisë së produktit, nismë kjo që na afron më shumë me objektivat e BE-së. Objektivi kryesor i politikës së Komisionit Evropian për siguri të ushqimit, është të sigurojë nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe interesave të konsumatorëve lidhur me sigurinë e ushqimit. Rregullat e higjienës zbatohen nga ‘ferma në tavolinë’ për ushqimet e prodhuara në BE ose të importuara nga vendet e pazhvilluara. Strategjia e BE-së për sigurinë e ushqimit bazohet në: rregullat që kanë të bëjnë me sigurinë e produkteve të destinuara për konsumim njerëzor; këshillat shkencore të pavarura dhe në dispozicion publik; masat mbrojtëse; si dhe e drejta e konsumatorit të bëjë zgjedhjen e vet duke qenë plotësisht i informuar.
Këtu vlen të theksojmë se ka ardhur koha të bëjmë përmirësime dhe në kuadrin ligjor të certifikimit të detyrueshëm të aktiviteteve. Në Shqipëri sot ekzistojnë rreth 300 njësi përpunimi qumështi të cilat për vetë statusin e tyre të regjistrimit në QKB si biznes i vogël sezonal, nuk i kërkohet pajisja me leje prodhimi ose siç quhet, QKL prodhimi. Ky interpretim ligjor duhet të reflektohet me akte nënligjore pasi kemi të bëjmë me prodhim ushqimor, pavarësisht statusit të biznesit. Baxhot e qumështit të cilat operojnë pa licencë prodhimi, pa certifikime të standardeve minimale kombëtare, hedhin në treg një volum prodhimi që shkon deri në 15,000 tonë nënprodukte të qumështit.
Shpesh herë aksionet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë sporadike duke mos vendosur një standard apo duke mos krijuar “frikën” që do t’i pengonte agrobizneset të abuzonin. A funksionon kështu garantimi i sigurisë ushqimore dhe si mund të funksionojë më mirë ky sistem?
Kjo sot është një nga çështjet më të diskutueshme pasi roli i AKU-së është vendimtar në plotësimin e standardeve të sigurisë ushqimore. Krijimi i modelit evropian për kontrollin dhe digjitalizimin e sistemit të kontrollit ushqimor është një mungesë në mbarëvajtjen e punës së AKU-së. Është detyrim ligjor i AKU-së që të ushtrojë funksionin e saj dhe të garantojë konsumatorët e brendshëm dhe të jashtëm mbi plotësimin e standardeve ushqimore për produktet e prodhuara në vend, si dhe ato të importuara. Sot një çështje që ka marrë vëmendje në kancelaritë e Brukselit është abuzimi me 2 kompanitë më të mëdha braziliane të prodhimit të mishit, të cilat kanë përdorur kimikate për të përmirësuar pamjen dhe erën e mishit të skaduar. Është e nevojshme ngritja e një sistemi kontrolli të detajuar të gjurmueshmërisë për të shmangur katastrofa të tilla në dëm të shëndetit të konsumatorëve.
A janë agrobizneset në Shqipëri të pajisura me certifikatat e sigurisë ushqimore dhe cilët janë sektorët më problematikë në këtë drejtim? Ndikon certifikimi në rritjen e eksporteve dhe a ka politika nxitëse?
Ligji shqiptar për aktivitetin e përpunimit të produkteve bujqësore përcakton si detyrim ligjor plotësimin e standardeve minimale kombëtare, që lidhet direkt me plotësimin e sistemit të menaxhimit të sigurisë ushqimore HACCP. Por a është ky standart i mjaftueshëm dhe kompetitiv për këtë sektor ? Unë do të thoja që nuk është i mjaftueshëm. Sot për të penetruar në tregun evropian kërkohen certifikime me standardet më të larta të sigurisë ushqimore si psh. ISO9001, ISO22000 etj. Plotësimi i këtij standardi kërkon një sistem gjurmueshmërie shumë të lartë. Ndërkohë që kemi një pasqyrë ndryshe me produktet bujqësore, të cilat nuk e kanë të mirëaplikuar sistemin e gjurmueshmërisë.
Kjo lidhet dhe me faktin që fermerët vendas nuk mbajnë të dhëna mbi shërbimet agroteknike dhe operacionet që ndjekin në fermë, nuk kanë ndërtuar markat e tyre që lidhen me një sërë kërkesash të detyrueshme. Gjurmueshmëria në fermë nuk mund të mbahet dhe kontrollohet me blloqe shënimesh. Ajo kërkon programe kumpjuterike përkatëse të ndërtuara dhe të përcaktuara nga veprimi i ligjit të ushqimit. Kjo është arsyeja që produktet bujqësore nuk penetrojnë në tregjet perëndimore, aty ku produkti merr një vlerë të shtuar. Përmes politikës së vet zhvillimore, BE-ja i ndihmon vendet kandidate si dhe shtetet në zhvillim të shesin prodhimet e tyre bujqësore në BE.
Çdo vit, BE-ja në mënyrë tipike importon rreth 60 miliardë euro në vlerë të produkteve bujqësore nga vendet në zhvillim. Ndërkohë, kushti vendimtar për të tregtuar produktet bujqësore në vendet e BE-së mbetet plotësimi i standardeve të sigurisë ushqimore. Sot për të eksportuar në vendet e BE-së është e detyrueshme që fermerët të plotësojnë dhe të certifikohen me standardin “GlobalGAP“. Kjo do t’i mundësojë të lidhin kontrata të sigurta me rrjetet e supermarketeve duke përfituar një marzh të lartë fitimi.
Elisabeta Dosku/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.