Progres në luftën ndaj pabarazisë – Çudit Oxfam, Shqipëria fiton 83 pozicione, zbret në vendin e 66-të në botë!
Shqipëria është në vendin e 66-të në botë ndër 157 ekonomi të botës sa i përket angazhimit të qeverisë në luftën kundër pabarazisë.
Në këtë përfundim arrin prestigjiozja Oxfam në indeksin më të fundit të angazhimit të qeverive në luftën ndaj pabarazisë.
Por ajo që duket e habitshme në këtë raport është kapërcimi në krahasim me vitin e kaluar, me plot 83 pozicione.
Në raportin e kaluar, Shqipëria renditej në vendin e 149-të në botë, duke u bërë një prej 10 vendeve me performancën më të dobët në botë në këtë drejtim.
Ndryshimi në renditje duket se është rrjedhojë kryesisht e ndryshimit të metodologjisë. Indeksi përllogaritet mbi bazën e tre kritereve; shpenzimet për të luftuar pabarazinë, taksimin, si dhe pagat.
Në këtë të fundit, Shqipëria performon mjaft dobët, duke zënë vetëm vendin e 105-të në botë, çka do të thotë se në nivel global, 104 qeveri të tjera, bëjnë përpjekje më të mëdha se ajo shqiptare për të ulur pabarazinë nëpërmjet rritjes së pagave.
Sa i përket shpenzimeve, Shqipëria është e 53-ta në botë, ndërkohë që në drejtim të taksimit, e 75-ta në botë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.