Projekti i Pyllit Orbital – Financim nga Kooperacionin Italian, gjelbërohen 23 zona

Bashkia e Tiranës dhe Kooperacionit Italian kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për financimin e të gjithë projektit të Pyllit Orbital për gjelbërimin e 23 zonave të ndryshme në kryeqytet, duke zgjeruar hapësirat e gjelbra për qytetarët e Tiranës dhe kontribuar për një mjedis më të pastër. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se falë këtij financimi, deri në vitin 2030, Tirana do të ketë 2 milionë pemë të reja.
“Jam shumë entuziast që me ndihmën e Kooperacionit italian sapo kemi firmosur financimin për gjithë projektin e Pyllit Orbital, e cila do të prodhojë rezultate konkrete të 23 zonave që do të gjelbërohen falë këtij projekti. Ndaj dhe mezi pres që pasi kjo firmë të hyjë në fuqi, ne të fillojmë kontraktimin e të gjithë atyre që do të na prodhojnë projektin dhe besoj që deri në vitin 2030 do të kemi në qytetin e Tiranës më shumë pemë se ç’kemi trashëguar kur e morëm detyrën në këtë qytet, që është ekzaktësisht 2 milionë pemë”, tha Veliaj.
Drejtori i Kooperacionit Italian, Nino Merolla theksoi se realizimi i këtij projekti do ta transformojnë Tiranën në një qytet modern europian.
“Jemi shumë të lumtur që jemi krah për krah Bashkisë së Tiranës për transformimin e qytetit, një transformim që të gjithë tashmë e vëmë re. Jemi të kënaqur që do punojmë së bashku, në realizimin e këtij projekti, nga i cili do të ketë shumë të mira Tirana dhe do të ketë shumë të mira bashkia, gjithë qytetarët, për ta transformuar Tiranën në një qytet modern, europian dhe që do të jetë një shembull i cili do të tregojë se si me punë këmbëngulëse, me punë të mira, arrihen rezultate të larta. Një kompliment për Kryetarin e Bashkisë dhe për të gjithë stafin e bashkisë që punon për këtë qëllim”, theksoi Merolla
Projekti për Pyllin Orbital parashikon shtimin e gjelbërimit jo vetëm në periferi të qytetit, por njëkohësisht edhe brenda zonave urbane. Kreu i Bashkisë ftoi qytetarët dhe institucionet e ndryshme private dhe shtetërore që t’i bashkohen kësaj nisme.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.