Starton referimi elektronik – Fillon aplikimi në 36 qendra shëndetësore në Tiranë
Sistemi i referimit ka nisur në 36 qendra shëndetësore në kryeqytet si dhe në 4 poliklinikat e specialiteteve. Qendra Shëndetësore e Laprakës është një nga qendrat ku janë investuar rreth 230 mijë euro si dhe po përdoret sistemi referimit elektronik. Kryeministri, Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, inspektuan qendrën e re. Sipas Manastirliut, sistemi i referimit do të lehtësojë shërbimin nga burokracitë.
“Është e vetmja rrugë që të lehtësohet i gjithë shërbimi në spitale dhe që të ndahet shërbimi parësor me nevojat e menjëhershme të njerëzve me shërbim më të specializuar pastaj në qendrat e mëdha spitalore, se ndryshe do ishte e pamundur që të bëhet edhe njëra dhe tjetra dhe s’bëhet tamam as njëra as tjetra. 300 do bëjmë në këto 4 vjet.”
“Në të 36 qendrat shëndetësore në Tiranë edhe në 4 poliklinikat e specialiteteve për herë të parë kemi përfshirë një sistem të ri, referimin elektronik dhe ekzaminimin elektronik. Tani qytetarët shmangin radhët e gjata të pritjes te mjeku specialist duke vendosur nëpërmjet sistemit elektronik orën, datën e vizitës dhe sigurisht ndihmon mjekët për të pasur aktivimin e të gjithë diagnozës së pacientit dhe shërbimet që ofron.”
Përmirësimi i infrastrukturës së qendrave shëndetësore ka nisur në 300 Qendra Shëndetësore në 4 vite. Këtë vit fillojnë investimet në 80 qendrat e para në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që Qendrat Shëndetësore, të kenë standarde dhe kushte sa më të mira.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.