Projekti/Shqipëria ndalon mërkurin- Drejt bllokimit importi e eksporti! Do të ndalohet edhe përdorimi në klinikat dentare
Shqipëria po përgatit një plan për të eleminuar importin dhe eksportin e mërkurit por edhe për ta nxjerrë atë gradualisht nga përdorimi në vend, kryesisht në sektorin dentar. Projektligji që ndodhet në proces konsultimi, mban firmën e ministrit të Mjedisit dhe parashikohet të zbatohet duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Nisma synon të reduktojë përdorimin e kësaj lënde që konsiderohet e rrezikshme për shëndetin e njeriut ndaj edhe do të ndalohet importi i një serë produkteve që kanë përmbajtje mërkuri.
Veç vendimit për të ndaluar importin dhe eksportin e kësaj lënde, projektligji i ri parashikon detyrimin e ministrisë së Shëndetësisë për të hartuar e zxbatuar një plan kombëtar për eleminimin e kësaj lënde nga sektori dentar, ku përdoret për mbushjen e dhëmbëve.
“Amalgama dentare, e përftuar nga përzierja e mërkurit elementar të lëngët dhe një aliazhi në formë pluhuri të përbërë nga argjendi, kallaji dhe/ose bakri, përdoret si material mbushës dentar për trajtimin dentar të dhëmbëve” shkruhet në relacionin e projektligjit.
Ndaj, nga data 1 Korrik 2021, do të lejohet përdorimi i amalgamave dentare vetëm në formën e dozave paraprake të kapsuluara. Në klinikat dentare, ndalohet përdorimi i mërkurit, në formë “të pa paketuar” ose “të pa inkapsuluar”.
Po ashtu, nga data 1 Korrik 2021, ndalohet përdorimi i amalgamave dentare për trajtimin dentar të dhëmbëve të qumështit, të fëmijëve nën moshën 15 vjeç dhe të femrave shtatzëna ose që janë në proces ushqyerje me gji.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.