Propozimi për ngrohjen: Shqipëria të shohë mundësinë e sistemeve qendrore

Në realitetin shqiptar ku me një vale të ftohti paralizohet pothuajse i gjithë vendi propozimet e institucioneve ndërkombëtare ndonjëherë tingëllojnë të çuditshme.
Por në funksion të arritjes së objektivave për eficencën e energjisë Sekretariati për Energjinë bën propozimet e tij ndaj Shqipërisë.
Një ndër to lidhet me ngritjen e sistemeve qendrore të ngrohjes dhe ftohjes në zona ku dendësia e ndërtesave është e lartë.
Konkretisht në raportin e fundit thuhet se “Duhen vlerësuar në mënyrë të kujdesshme mundësitë për zhvillimin e sistemeve qendrore të reja ose ekzistuese që shërbejnë për ngrohje dhe ftohje, duke përdorur energji të rinovueshme si biomasa apo gjeotermale dhe kjo të paktën deri në nëntor të vitit 2018. Shqipëria nuk ka në asnjë zonë sisteme qendrore të ngrohjes dhe ftohjes aktualisht, as në zonat me densitet të lartë të ndërtesave”, thuhet në dokument.
Kjo vjen në një kohë kur theksi për eficencën e energjisë po rritet çdo ditë dhe më shumë ndërkohë që Sekretariati bën thirrje për vlerësim të këtij opsioni mbi një analizë kosto-përfitim që mund të rezultojë në finale edhe pozitiv.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.