Pse dështimi ekonomik i Italisë mund të “shembë” gjithë Evropën?
Parlamenti i Italisë ka miratuar planin e shpenzimeve të Mario Draghi prej 261 miliardë eurosh për të ringritur ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës nga rrënojat e pandemisë. Tani vjen pjesa e vështirë: Zbatimi i reformave të vështira strukturore që Italia ka nevojë të ndërmarrë për të nxitur rritjen dhe ribalancimin e llogarive publike.
Mosbërja e kësaj do ta detyronte Italinë të rrëzonte dhe shkatërronte planet e Bashkimit Evropian për integrimin e mëtejshëm fiskal.
Draghi evokoi fantazmat e shtetarëve të Italisë së pasluftës ndërsa paraqiti në parlament planin e tij të shpenzimeve dhe reformave. Megjithatë, një krahasim me ekonominë e shkatërruar të Italisë së pas Luftës së Dytë Botërore nuk është shumë i saktë. Produkti i Brendshëm Bruto i vendit u tkurr 8.9% vitin e kaluar, krahasuar me një rënie prej 6.2% në BE.
Për më tepër, virusi goditi Italinë kur ekonomia atje ende nuk ishte rikuperuar nga kriza financiare, i vetmi vend i BE-së që kishte ngelur mbrapa. Nga 1999 në 2019, PBB-ja e Italisë u zgjerua me 7.9%, krahasuar me rritjen midis 30% dhe 45% për Gjermaninë, Francën dhe Spanjën. Prodhimtaria e saj ekonomike u tkurr me 6.2% midis 2001 dhe 2019, ndërsa në vendet e tjera të Evropës u rrit.
Draghi ka të drejtë atëherë që i jep një goditje elektrike një ekonomie pothuajse të shkatërruar me shpenzimet e tij masive. Roma është përfituesi më i madh i fondit të rimëkëmbjes pandemike të BE-së prej 750 miliardë eurosh. Megjithatë, sfida është e madhe, komplekse dhe e rrezikshme.
Shtyllat e planit Draghi janë investimet publike dhe stimujt për të bërë që sektori privat të investojë edhe më shumë. Ekzistojnë gjashtë “misione” investimesh, duke përfshirë dixhitalizimin dhe ekonominë e gjelbër. Jugu i depresionuar i Italisë merr 40% të shpenzimeve totale bazë.
Por shpenzimet janë leva më e lehtë që Draghi mund të tërheqë. Detyra e tij më e madhe është plani afatmesëm dhe afatgjatë për të rindërtuar ekonominë italiane në një mënyrë që mbështet rritjen. Kjo kërkon një reformë të dhimbshme strukturore të drejtësisë, administratës publike, konkurrencës dhe burokracisë që Italia ka lënë pas për dekada. Kjo do të jetë shumë më e vështirë për t’u arritur sesa gjashtë misionet e investimeve. Reformat do të përballen me interesa dhe mosfunksionime të thella, të tilla si evazioni fiskal që dëmton ekonominë e Italisë.
Që tani ka shenja të pakënaqësisë politike: Ligjvënësit u tallën me Draghi këtë javë në senat kur ai lexoi shkurtimisht shënimet e tij.
Por për Italinë nuk ka asnjë Plan B, as për Evropën gjithashtu. Nëse ky plan dështon në Itali, politika fiskale evropiane gjithashtu dështon. Kjo do t’u siguronte të gjithë fushatave euroskeptike një argument më tepër për të ndjekur kauzën e tyre anti-BE.
Paola Subacchi, një ekonomiste në Universitetin Queen Mary në Londër, argumenton se një deri në dy grushta – së pari shpenzimet, pastaj reformat – “Draghi i përballon”. Ajo kujton debatin mbi politikat fiskale gjatë krizës së borxhit grek kur ai ishte president i Bankës Qendrore Evropiane. Ndërsa ministri i atëhershëm i financave i Gjermanisë Wolfgang Schauble po këmbëngulte që Greqia duhej të bënte një reformë strukturore, debati në BQE favorizoi renditjen. “Pozicioni i tij është, se duhet mbështetet njerëzit në kohë emergjence, pastaj të ndërtohet një reformë strukturore”, mbyll Subacchi.
Bloomberg Opinion
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.