Punësimi i bluzave të bardha – Xhafaj: Pas 1 shkurtit nis faza e testimit për aplikuesit online

Një shkurti do të shënojë dhe mbylljen e aplikimeve online për punë nga bluzat e bardha. Në portal mund të aplikojnë të gjithë infermierët, mamit, logopedistët, fizeoterapistë , teknikë laboratori apo teknikë imazherie.
Vetëm pak ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar hapjen e një portal i cili do të mundësojë punësimin e rreth 420 bluzave të bardha në qendrat spitalore apo shëndetësore në të gjithë vendin.
Ndërsa sipas shoqatës së infermierëve janë mbi 1000 infermierë të rinj ose me eksperiencë që janë në kërkim të një pune. Drejtorja e Përgjithshme për politikat dhe zhvillimin shëndetësor, Merita Xhafaj, bëri apel që kandidatët të aplikojnë sa më shpejt duke ndjekur katër hapat e përcaktuara në portal.
“Aktualisht ky portal është i hapur dhe pret aplikime deri më datën 1 Shkurt. Janë 4 faza për të cilat secili që dëshiron të aplikojë në këtë portal duhet të kalojë: së pari është pjesa e regjistrimit, së dyti duhet të hidhet i gjithë dokumentacioni i kërkuar në këtë portal, duhet të kërkohën vendet vakante, më qëllim që të gjithë të informohen cilat janë vendet vakante dhe pastaj të bëjnë aplikimin. Aktualisht janë publikuar 420 vende vakante të ndara sipas qarqeve”, tha Xhafaj.
Pas fazës së parë që është aplikimi i kandidatit do të jetë faza e testimit. Testimi do të jetë i ndarë në dy faza, prej të cilave do të shpallen edhe kandidatët fitues.
“Në këtë portal do të publikohen se cilët janë përzgjedhur për të kaluar në fazën e dytë të testimit. Tek faza e dytë e testimit do të bëhet një testim me shkrim. Kriteret mbi të cilat përzgjidhen, së pari pikët janë të bazuara në njohjen e legjislacionit për kujdesin shëndetësor nga ana e infermierëve, po kështu vlerësohet shumë etika në komunikim me pacientin. Nga ana tjetër, pas pjesës së parë, ku jepen 20 pikë, 50 pikë të tjera jepen për kujdesin infermieror bazë dhe atë spitalor”, sqaroi Xhafaj.
Aktualisht, janë bërë me qindra aplikime nga të interesuarit në të gjithë vendin. Në rrethin e Tiranës janë 39 vende vakante në qendrat spitalore dhe 29 në qendrat shëndetësore. Ndërkohë që një problem edhe me punësimet në sektorin e shëndetësisë ashtu si në të gjithë sektorët e tjerë është dëshira e kandidatëve për t’u punësuar në kryeqytet.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.