Punimet për Rrugën e Arbrit, Kryeministri publikon videon: ‘Verën e ardhshme, ëndërr e realizuar’
Rruga e Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën do të jetë funksionale pas pak muajsh. Të paktën kjo është ajo që ka deklaruar kryeministri Edi Rama ndërsa ka postuar një video ku tregohet ecuria e punimeve.
“Me këtë xhiro nëpër shtratin e hapur të Rrugës së Arbërit, që në verën e ardhshme do të jetë një ëndërr shumëvjeçare e realizuar për dibranët, e do të zbulojë për tiranasit hapësirat magjike të jastëkut të gjelbër të kryeqytetit që shtrihet deri pranë Dibrës, ju uroj një javë të mbarë” shkruan kryeministri në postimin e videos.
I nisur prej vitesh si projekt, rruga e Arbrit u dha me koncesion në vitin 2018. Në total vepra do të kushtojë 240 milion euro, ndërkohë që shteti ka marrë përsipër likuidimin e kontraktorit brenda një periudhe 13-vjeçare.
Kjo është kontrata e parë e firmosur, në bazë të projektit “1 miliard’, ndërkohë që, kontraktori ka marrë përsipër që fillimisht të ndërtojë rrugën me shpenzimet e tij si dhe mirëmbajtjen gjatë gjithë periudhës së koncesionit. Rruga e Arbrit ka një gjurmë të drejtpërdrejtë Tiranë- Dibër, duke kaluar nga Qafë- Murriza, Guri i Bardhë, Ura e Vashës në Bulqizë dhe Dibër.
Sipas projektit nga Tiranë në Bulqizë ajo do të ketë një gjatësi prej 50 km dhe nga Tirana në Bllatë 74 km. Në këtë segment rrugor parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1500 m, si dhe ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2600 dhe 560 m.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.