Pylli orbital, Bashkia mbjell 1 mijë rrapë – Pemët, donacion nga bizneset. Veliaj: Arrijmë rekord mbjelljeje

Ditën e diel ka vijuar aksioni për mbjelljen e pemëve të reja, të cilat do të jenë pjesë përbërëse e Pyllit Orbital të Tiranës. Rreth 1 mijë pemë të reja janë mbjellë sot në zonën e Liqenit të Thatë, në të dyja anët e autostradës, nga nënkalimi në drejtim të Saukut.
Kryetari i Bashkisë ka falënderuar bizneset donatorë të 1000 rrapëve, pasi mundëson realizimin e konceptit të propozuar “2 pemë të mbjella për çdo makinë”.
“Jam entuziast për faktin se na janë përgjigjur shumë kompani, shumë më shumë se ç’e kishim menduar. Do ta thyejmë rekordin tonë, duke mbjellë mbi 100 mijë pemë këtë vit, vetëm nga energjia fantastike që po gjenerojnë në Tiranë të rinjtë, vullnetarët, kompanitë, shoqatat”, tha kryebashkiaku.
Veliaj falënderoi edhe banorët e zonës, të cilët po tregohen bashkëpunues duke lejuar procesin.
“Falenderoj të gjithë banorët rreth këtyre zonave. Së pari, e kanë kuptuar se sipas ligjit, nuk mund të ndërtohet 25-30 metra nga autostrada apo nga rrugët kryesore. Po tregohen bashkëpunëtorë që na lejojnë të mbjellim. Toka mbetet po e tyre, nëse i kanë letrat është gjithmonë e tyre, ama edhe toka e tyre merr më shumë vlerë në momentin që është e zbukuruar, gjelbëruar dhe sigurisht në momentin që Tirana ka një hijeshi që i vjen nga Pylli Orbital”, deklaroi Veliaj, duke i cilësuar pemët e mbjella si “paja” që i lëmë qytetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.