Qeveria miraton kërkesat e studentëve-Vendimet: Ulen e hiqen tarifat, bursat bëhen 10 mijë lekë, rriten investimet në konvikte!
Qeveria ka miratuar vendimin që plotëson kërkesat e studentëve që kanë nisur javë më parë protestën duke kërkuar ndër të tjera ulje të tarifave të studimit dhe përmirësimin e kushteve të konvikteve. Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri njoftoi miratimin e aktit normativ që ndryshon buxhetin e këtij viti dhe që nga janari do të nisë zbatimi.
Referuar vendimeve të njoftuara nga kryeministri, tarifat e studimit ulen me 50% për të gjithë studentët. Ndërkohë, studentët nga kategoritë në nevojë do të përfitojnë 100 % rimbursim të tarifës së studimit dhe një bursë studimi 10 mijë lekë. Një vendim tjetër është ai që zgjeron bazën e përfituesve nga fondi i ekselencës, ku tashmë rimbursim 100 % të tarifës dhe një bursë 10 mijë lekë në muaj do të përfitojë çdo student me mesatare mbi 9.
Pjesë nga deklarata e kryeministrit:
Në mbledhje jo vetëm kemi diskutuar por edhe kemi marrë vendime të rëndësishme që adresojnë kërkesat e studenteve dhe shkojnë përtej tyre ashtu sikurse e kishim thënë dhe siç besojmë se është e domosdoshme për të maksimizuar potencialin e krijuar nga protesta dhe për ta futur universitetin në një fazë të dytë të një reforme transformuese e cila jo vetëm që nuk duhet të zbrapset por duhet të thellohet.
Kemi miratuar 4 vendime lidhur me kërkesën e parë për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojmë kriteret e pranimit në një program të ciklit të dytë dhe përfitojnë ulje të tarifës vjetore të studimit, për disa ndryshime në vendimin për kriteret e përfitimit të bursave nga fondi i ekselencës dhe ata në nevojë.
Kemi studentët nga familjet në ndihmë ekonomike dhe kategoritë në nevojë që marrin financimin e plotë 100 përqind të tarifës dhe do të fitojnë një bursë studimi prej 10 mijë lekësh të reja. Theksoj se një bazë për të mbështetur /subvencionuar 100 për qind tarifën ka qenë për shkak të shumë devijimeve që janë konstatuar në këshillat bashkiakë është vendosur që kjo gjë të bëhet drejtëpërdrejtë nga qeverie për çdo student që ka këto kritere.
Së dyti studentët me notë mesatare mbi 9 në çdo program studimi përfitojnë financimin 100 % nga qeveria të tarifës së regjistrimit nga tarifa e plotë që paguanin para këtij vendimi. Po ashtu do të kenë një bursë 10 mijë lekësh të reja. Ndërkohë që deri sot bëhej fjalë vetëm për 8 mijë e 100 lekë dhe vetëm për ata me mesatare 10. Kjo e zgjeron ndjeshëm gamën por edhe mbështetjen e qeverisë të drejtëpërdrejtë për studentët më të mirë.
Së treti do t’i japim një mundësi të barabartë të gjithë studentëve duke paguar 50 % të tarifës së regjistrimit drejtëpërdrejtë nga buxheti me pranimin në universitet të cilët deri para këtij vendimi paguanin tarifën e plotë. Të gjithë studentët aktualë për pjesën e mbetur të këtij viti akademik edhe ata me 4 e 5 nuk do të paguajnë por do të paguajë buxheti i shtetit për ta. Në vitin e ardhshëm akademik të gjithë ata që nuk do të jenë me mesatare 6 e sipër humbasin çdo mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Sa i përket nivelit të dytë të studimeve, qeveria do të paguajë vetëm për studentët me notë mesatare mbi 9 në hyrje, studentët nga familjet me ndihmë ekonomikë e kategoritë në nevojë 50 % të tarifës.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë që do të thotë se në janar të gjitha detyrimet financiare që burojnë nga këto vendime do t’i mbulojë qeveria.
Ana tjetër e kërkesës lidhet me konviktet. Aktualisht funksionojnë 8 shoqëri për akomodimin e studenteve në Tiranë e në rrethe. Marrin një mbështetje buxhetore nga shteti dhe në të njëjtën kohë janë shoqëri që kanë nevojë për reformim të thellë gjë për të cilën po punojmë.
Është e rëndësishme që me aktin normativ të buxhetit janë 3 milionë dollarë shtesë për investime në infrastrukturën e konvikteve. Po ashtu është duke u negociuar dhe praktikisht kemi marrë miratimin në parim për një projekt të dytë me vlerë 27 milion euro nga të cilat 20 milion janë kredi me interesa të arsyeshme dhe 7 milionë grant nga qeveria gjermane që i shtohet fazës së projektit që ka filluar të zbatohet. Është pak po e sigurtë që brenda mandatit konviktet do rindërtohen të gjitha.
Ndërkohë, krahas vendimeve për kërkesat e studentëve, Rama ka njoftuar gjithashtu edhe një tjetër vendim tjetër, që lidhet me punësimin e studentëve në administratën publike. Sipas tij, studentët më të mirë do të përzgjidhen për të qenë pjesë e administratës përmes krediteve, pa konkurs.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.