Qyteza e vetmisë që banohet dhe administrohet nga 1 banor i vetëm

Mirë se vini në Monowi, Nebraska, popullsia 1 banor. Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në SHBA, Monowi është qyteti i vetëm i inkorporuar në vend me vetëm një banor.
Si personi i vetëm që jeton në Monowi, 84 vjeçarja Elsie Eiler është kryebashkiakja e qytetit, nënpunësja, arkëtarja, kamerierja si dhe shumë e shumë funksione të tjera.
Çdo vit zgjedhor ajo reklamon zgjedhjet në tavernën e saj dhe më pas shkon voton për vete.
Ligji federal gjithashtu kërkon që ajo të prodhojë një plan rrugor komunal çdo vit për të siguruar fonde shtetërore dhe të paguajë 500 dollarë në taksa për të mbajtur ujin dhe energjinë elektrike.
Ajo gjithashtu bën dokumentet e kërkuara për të mbajtur statusin e inkorporuar të Monowit dhe për të parandaluar që Monowi të bëhet një qytet fantazmë.
“Kur aplikoj për licencat e pijeve dhe duhanit çdo vit, ata i dërgojnë ato tek sekretari i fshatit, që jam unë,” tha ajo për BBC. “Pra, unë i marr ato si sekretare, i nënshkruaj ato si nëpunës dhe ua jap pronarëve të bareve që jam po unë”.
“Jam e lumtur këtu. U rrita këtu, jam mësuar me këtë, dhe e di atë që dua”, shtoi Eiler.
Eiler u martua me Rudy në moshën 19 vjeçare, dhe ata bënë dy fëmijë dhe jetonin në Monowi. Në vitin 1971 çifti vendosi të rihapte tavernën që i përkiste babait të Eiler.
Por, në kohën kur u hap taverna, qyteti i vogël kishte filluar të rrënohej.
Në vitin 1960 kisha mbajti funeralin e fundit për babanë e Eilerit, dhe më pas midis 1967 dhe 1970 zyra postare dhe ushqimorja e fundit e mbetur u mbyll.
Edhe shkolla u mbyll në vitin 1974. Në mesin e viteve 70, të dy fëmijët e Eiler u larguan për të gjetur punë, dhe deri në vitin 1980 popullsia e qytetit kishte ra në 18 banorë. Njëzet vite më vonë Rudy dhe Eiler përbënin gjithë popullatën e Monowit derisa Rudy u nda nga jeta në vitin 2004 dhe tashmë Eiler është banorja e vetme.
V.H/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.